Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësim të Kosovës

Bota Lajme

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Nga 171 deputetët e pranishëm, 131 votuan pro, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

19:11 – Debati në AP për Kosovën në KiE: Shumica e deputetëve pro

Deri më tani, një shumicë e deputetëve që kanë diskutuar në seancën ku do të hedhet në votim opinioni i raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë pro propozimit që vendi ynë të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Deputetja nga Spanja, Nerea Ahedo, tha se bën pjesë te grupi që mbështet pavarësinë e Kosovës, dhe rrjedhimisht do të votojë pro anëtarësimit, pavarësisht qëndrimit të shtetit të saj.

Pro Kosovës u deklarua edhe Oleksii Goncharenko, deputet ukrainas, i cili tha se Kosova e meriton të jetë anëtare e KiE-së.

Deputetja austriake, Petra Bayr, u shpreh pro, dhe tha se me anëtarësimin e Kosovës në KiE, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Megjithatë, ajo tha se Kosova duhet ende të punojë për të drejtat e njeriut.

Në linjë me të sipërpërmendurit ishte edhe deputetja irlandeze, Fiona O’Loughlin. Ajo tha se qytetarëve të Kosovës u mungon një mjet themelor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Edhe deputeti gjerman Frank Schwabe u shpreh pozitivisht në lidhje me raportin mbi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.

Votë pro Kosovës premtoi edhe Alain Milon nga Franca.

Edhe pse nuk e njeh Kosovën shteti i tij, Iulian Bulai, deputet nga Rumania, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndonëse disa deputetë italianë paraprakisht propozuan që para votimit për në KiE, të vendoset si parakusht themelimi i Asociacionit, Piero Fassino nga ky vend tha se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova është pjesë e Këshillit.

Pro Kosovës dhe kundër qëndrimit të vendit të tij u deklarua edhe deputeti grek, Alexis Tsirpas.

Ndërkaq, deputeti hungarez Zsolt Nemeth, u deklarua kundër.

E kundër ishin edhe përfaqësuesja nga Serbia, Biljana Pantiq Pilja, sikurse edhe ajo e Malit të Zi, Maja Vukiqeviq.

Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare. /Klankosova.tv


18:28 – Deputeti gjerman: Përkrahja për Kosovën në AP të përçojë një sinjal të fuqishëm për Komitetin e Ministrave që të marrë një vendim pozitiv

Deputeti gjerman Knut Abraham ka deklaruar në Asamblenë Parlamentare, që raporti i Dora Bakoyannis, raportueses për Kosovën në KiE është I shkëlqyer.

Abraham në fjalën e tij, theksoi se përkrahja për Kosovën në Asamblenë Parlamentare, të përçojë një sinjal të fuqishëm për Komitetin e Ministrave që të marrë një vendim pozitiv për anëtarësimin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Kemi një raport të shkëlqyer nga Dora Bakoyannis dhe unë besoj që duhet të jemi mirënjohës. Është punë impresive të nderuar kolegë, kemi pasur juristë, raportues nga vende të ndryshme, që e kanë njohur Kosovën, disa që nuk e kaun njohur pavarësinë e Kosovë, të gjitha arrijnë në të njëjtin konstatim, që Kosova meriton, populli i Kosovës, meriton mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ofrohet nga hyrja në Këshill të Evropës”, u shpreh Abraham.

“Shpresoj se do të ketë përkrahje të fuqishme në këtë asamble, dhe duke përçuar një sinjal të fuqishëm për Komitetin e Ministrave që të marrë një vendim pozitiv për anëtarësimin e Kosovës”.


18:22 – Deputeti italian me thirrje ndaj Serbisë: Anëtarësimi i Kosovës në KiE është edhe për serbët që jetojnë aty

Pieo Fassino, përfaqësues i Italisë në Këshillin e Evropës, i ka bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë që të mos kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ai, në seancën e sotme të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës mundëson edhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Mendojeni me kujdes sepse anëtarësimi i Kosovës në KiE nënkupton për të gjithë qytetarët e Kosovës duke përfshirë edhe serbët do të kenë mbrojtje më të mirë. Qytetarët më pasë kanë të drejtë të apelojnë dhe të shfrytëzojnë mjetet e KiE-së siç është përfshirja në Gjykatën Ndërkombëtare Evropiane”.

“Anëtarësimi do të mund të na ndihmonte edhe neve sepse bëjmë hapa të përbashkët edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kjo është  e nevojshme për të siguruar stabilitetin në të gjithë Ballkanin”, ka thënë Fassioni. /Klankosova.tv


18:11 – Kervan në Asamblenë Parlamentare: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në KiE

Deputeti i Republikës së Kosovës, Enis Kervan, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kështu deklaroi Kervan në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare, ku deputetët janë mbledhur për të votuar mbi kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, njofton Klankosova.tv.

Kervan u bëri thirrje deputetëve që të votojnë në favor të raportit të përgatitur nga Bakoyannis.

“Përpara se të futem në këtë temë, dua të falënderoj nga zemra, Doran, për punën e saj të jashtëzakonshme dhe përkushtimin e patundur. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju dhe ata që keni kontribuar për ta bërë këtë moment historik si për Kosovën ashtu edhe për Këshillin e Evropës”, u shpreh Kervan.

“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Ne kemi mbështetur me zell parimet e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, me një angazhim të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare”.

“Ne promovojmë tolerancën, dialogun dhe pajtimin, në përputhje me standardet ndërkombëtare si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave”, shtoi ai.

“Për më tepër, Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave ekonomike, politike, kulturore, fetare, gjuhësore, arsimore dhe mediatike për të gjitha pakicat kombëtare”.

“Të nderuar kolegë, në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, ju bëj thirrje që të votoni në favor të raportit të përgatitur nga e nderuara znj. Bakojanis”.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është thjesht një gjest simbolik; është një hap i prekshëm drejt sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët tanë”.

“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut paraqet një fener shprese, duke ofruar një nivel më të lartë të mbrojtjes për të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, veçanërisht për pakicat dhe këtë e them si përfaqësues i njërit prej pakicave kombëtare në Kosovë”.

“Dua ta mbyll duke i kërkuar secilit prej jush që të marrë parasysh rëndësinë e votës suaj”.

“Duke mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ju jo vetëm që po mbështesni aspiratat tona për integrim evropian, por gjithashtu po rikonfirmoni parimet e drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor”.

Vota juaj do të hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme, ku Kosova qëndron me krenari në familjen evropiane, ku të drejtat e të gjithë individëve respektohen plotësisht.

“Sot Kosova pret miratimin tuaj për përfshirje në këtë komunitet të nderuar. Le të bashkohemi, duke përqafuar diversitetin multietnik të Kosovës, si pjesë integrale e kësaj familjeje të madhe”. /Klankosova.tv


Nis seanca e AP-së për pranimin e Kosovës në KiE, Bakoyannis kërkon votë pro

Deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë mbledhur për të votuar mbi kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës.

Në hyrje të kësaj seance, fjalën e mori Dora Bakoyannis, raportuesja për Kosovën në KiE, e cila lexoi raportin e përpiluar nga vetë ajo, përmes së cilit kërkon që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e KiE-së.

Bakoyannis foli për vendet që e kritikuan për raportin e saj. Ajo tha se kritikuese ishin kryesisht vendet që nuk e njohin Kosovën.

“Për ato, do të doja me gjithë zemër që të jenë të sinqertë, sepse në realitet çështja e tyre asnjëherë nuk ka qenë se cilat, apo nëse i janë caktuar parakushte Kosovës. Nuk ka mund të ketë asnjë parakusht që këto vende do të mbështesnin një raport pozitiv, për të njëjtën arsye se kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë asgjë me kriterin e pranimit që raporti im ekzaminon. Ata kundërshtojnë vetë idenë e shtetit të Kosovës. Ky është kundërshtim, e kuptoj, dhe do të ishte më e guximshme prej tyre nëse do ta thoshin këtë. E përsëris sërish: raporti nuk mban qëndrim në shtetësinë”, tha Bakoyannis, teksa shtoi se “kjo nuk është kërkuar nga Komiteti i Ministrave”.

“Nëse do të obligohesha nga Komiteti i Ministrave që të thosha opinionin tim mbi shtetësinë, nëse Komiteti i Ministrave do të kërkonte mendimin tim apo opinionin tonë mbi shtetësinë, kurrë nuk do ta merrja këtë raport, dhe do të rreshtohesha me qëndrimin aktual të Greqisë”.

“Por kolegë të dashur, nuk është kështu dhe s’ka qenë kurrë”, u shpreh ajo.

Seanca e sotme ka bëjë me votimin e një mendimi pozitiv sa i përket anëtarësimit në këtë organizatë.

Ky draft-raport ishte votuar muajin e kaluar nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *