Deklarata bombë e ekipit të Alexei Navalnyt: U vra në prag të shkëmbimit me një të burgosur rus

Bota Lajme

Një video nga ekipi i Alexei Navalny pretendon se politikani i opozitës ruse u vra qëllimisht me urdhër të presidentit Vladimir Putin në prag të një shkëmbimi të burgosurish që do ta lironte atë në këmbim të një vrasësi të FSB-së të burgosur në Gjermani.

Sipas Politico, përcjell Telegrafi, në një video në YouTube të publikuar të hënën me titull “Pse Putin e vrau Navalny tani?” Aleatja e ngushtë e politikanit të opozitës, Maria Pevchikh tha se pas muajsh lobimi për një shkëmbim të të burgosurve që përfshin Navalny, “në pranverën e vitit të kaluar, plani ynë u miratua”.

“Navalny duhej të ishte i lirë në ditët në vijim sepse kishim marrë një vendim për shkëmbimin e tij”, tha ajo.

Pevchikh shtoi se miliarderi rus Roman Abramovich kishte vepruar si një ndërlidhës personal midis zyrtarëve perëndimorë dhe Putinit në ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Megjithatë, Politico shkruan se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Pevchikh.

Pevchikh tha se marrëveshja përfshinte Vadim Krasikov, një agjent i FSB-së i burgosur në Gjermani për vrasjen e një ish-komandant çeçen në vitin 2019, dhe “dy shtetas amerikanë”.

Pevchikh shtoi se ajo kishte marrë konfirmimin vonë më 15 shkurt se një shkëmbim i tillë do të ndodhte, por besonte se Putini më pas ndryshoi mendje.

“Është absolutisht e palogjikshme, irracionale, është sjellje e një mafiozi të çmendur. Por çështja është se Putini është çmendur nga urrejtja për Navalny”, tha ajo.

Kremlini nuk komentoi menjëherë mbi akuzat e ekipit të Navalny.

Më 16 shkurt, një ditë pasi Pevchikh pretendoi se kishte marrë konfirmimin se marrëveshja ishte “në fazat e saj përfundimtare”, Navalny u raportua se u rrëzua dhe vdiq pas një shëtitje në burgun ku mbahej në veri të rrethit Arktik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *