treshja e Vajmarit me porosi të qartë për partitë

Lajme Maqedoni

Porositë ishin të qarta, nëse nuk duam ti lëmë hapësirë Rusisë duhet të votojmë ndryshimet kushtetuese. Kështu deklaroi deputeti i BDI-së Arbër Ademi pas takimit me ministrat për çështje europiane, të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë. Ai shtoi se këto takime duhet të reflektojnë tek të gjithë politikanët me orientim europian që duan të hapin perspektiva të reja për qytetarët e vendit.

“Nuk ka porosi më të qartë. Vendet partnere, vendet mike, aleatët tanë po na i zgjojnë ndërgjegjen. Po na thonë sot është treni i fundit, votoni ndryshimet kushtetuese. Nuk ka arsyetime. Çdo çështje mund të ngritët, çdo çështje mund të diskutohet por ama nëse ne mbajmë ison e VMRO-DPMNE-së dhe flasim me gjuhën e tyre vetëm e vetëm për të komplikuar dhe bllokuar procesi integrues mendoj se nuk i bëjmë shërbim vendit, shoqërisë dhe qytetarëve. “- deklaroi Arbër Ademi – BDI.

E nga ana tjetër me kushtëzime për ndryshimet kushtetuese vazhdojnë të jenë nga Lëvizja Besa. Fadil Zendeli nga kjo parti thotë se ata janë të vetmit që çështjen e 20% për gjuhën shqipe e kanë ngritur edhe në takimet me diplomatët e huaj ndërsa thekson se nëse kjo çështje nuk zgjidhet nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese.

“Ne kemi mbajt një qëndrim konsistent rreth kësaj çështjeje. Për 20%shin ne do të insistojmë deri në fund që të jetë çështje debati dhe vendimmarrjeje jo vetëm sa për të thënë për opinionin publik dhe qytetarët. Lëvizja Besa fuqishëm do t’i qëndrojë kësaj konstance. E kemi thënë edhe më herët po e themi edhe tash do të insistohet që puna e 20% në këtë moment të zgjidhet.”- Fadil Zendeli – Besa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *