Biden: Ukraina nuk mund të anëtarësohet në NATO para përfundimit të luftës

Bota

Më 9 korrik, gjatë një interviste për CNN-in, Biden u shpreh se megjithëse është herët të flitet për përfshirjen e Ukrainës në Aleancë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë të NATO-s do të vazhdojnë të furnizojnë Kievin me armët e nevojshme për t’u mbrojtur kundër pushtimit të pajustifikuar rus.

Kjo intervistë u realizua para nisjes së Biden për një turne në tre vende të Evropës.

Biden foli përpara udhëtimit të tij njëjavor, i cili fillon në Londër, më pas shkon në Vilnius të Lituanisë për samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik, dhe në fund shkon Finlandë për t’u takuar me udhëheqësit e anëtarit më të ri të NATO-s.

“Unë nuk mendoj se ka unanimitet në NATO se a duhet të anëtarësohet Ukraina në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte”, tha Biden.

“Ne jemi të vendosur të angazhohemi në çdo centimetër të territorit që është territor i NATO-s. Është një angazhim që ne të gjithë e kemi bërë pa marrë parasysh çfarë ndodh. Nëse lufta po vazhdon, atëherë të gjithë jemi në luftë”, tha Biden.

Biden tha se ka folur shpesh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për situatën e NATO-s dhe tha se e ka siguruar atë për mbështetjen e Uashingtonit në mbrojtje kundër agresionit rus.

“Unë mendoj se ne duhet të përcaktojmë një rrugë racionale për Ukrainën që të jetë në gjendje të kualifikohet për të qenë në gjendje që të hyjë në NATO”, tha Biden.

Në një intervistë të gjatë me ABC News nga Kievi më 9 korrik, Zelensky përsëriti se ai “kurrë” nuk do t’i dorëzojë asnjë territor Rusisë, duke përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Kremlini e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.

Ai nuk e kundërshtoi një raport të Washington Post se zyrtarët ukrainas i thanë drejtorit të CIA-s, William Burns, gjatë një udhëtimi të fundit në Kiev se qëllimi i kundërofensive aktuale ishte afrimi te Krimea, diçka që besohet se mund ta detyronte presidentit rus Vladimir Putin të ulej në tryezë për negociata.

“Ka shumë gjasa që Putini do të detyrohet të kërkojë dialog me botën e qytetëruar, ndryshe nga sa ishte përpara pushtimit në shkallë të gjerë, sepse ai do të dobësohet”, tha Zelensky.

Më vonë, më 9 korrik, Biden foli në telefon me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, në të cilën ata diskutuan mundësinë e anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha presidenca turke.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *