Universiteti “Nënë Tereza” organizoi Absolventiadën 2023, përcjell gjeneratën e pestë

Lajme Maqedoni
Shkup, 06.07.2023 Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot organizoi Absolventiadën 2023 ku me një ceremoni solemne përcjelli gjeneratën e pestë të absolventëve, duke kurrorëzuar kështu punën e palodhshme katërvjeçare të tyre.
Rektori i UNT-së në paraqitjen para të pranishmëve tha se për gjashtë vite ekzistencë Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup po rritet dhe këtë e dëshmon numri i madh i absolventëve.
‘UNT ka 3696 studentë në 8 fakultete të akredituara, tre nga të cilat janë fakultete te reja dhe fillojnë me punë nga viti i ardhshëm akademik dhe gjithsej 43 programe studimore. Të nderuar apsolvent ju jeni gjenerata që keni studiuar në kushte më të vështita por sot ne jemi në shtëpinë tonë të re në një kampus të bukur në zemër të Shkupit me sipërfaqe 50.000 m2 dhe objekt me sipërfaqe mbi 5000 m2 tërësisht i rikonstruar’, tha rektori Zeqiri para absolventëve.
Zeqiri tha se ashtu siç ka premtuar se do ta udhëheq dhe do ta menaxhon UNT-në me transparencë dhe me ndershmëri në mënyrë efektive dhe efikase, ka krijuar një universitet konkurrent dhe me cilësisë në të gjitha segmentet.
‘Unë vazhdoj të punoj me përkushtim duke u bazuar në këto premtime. Unë u betova se bashkë me ekipin tim menaxhues do ta bëjmë shtëpinë tonë. Ja sot këtë ceremoni ne e organizojmë në kapusin tuaj të dashur studentë, profesor dhe staf administrativ. Urime Kampusi e ri. Jemi duke punuar shumë në përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve dhe rregullimin e infrastrukturës, këtu falenderojmë përkrahjen qeveritare por edhe dashamirët e UNT-së bizneset të cilët janë përkrahja jonë dhe ju ndihmojnë juve dhe gjeneratave që vijnë për të studiuar në kushte më të mira. – Është e rëdësishme të përmendim se Projekti i kampusit të ri është i gatshëm dhe vitin e ardhshëm duhet të futet në buxhet’, tha Zeqiri.
Mysafiri i nderit, ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Jeton Shaqiri përgëzoi absolventët e gjeneratës së pestë që ia dolën të kurorëzojnë vitet e punës, përkushtimit dhe këmbënguljes.
‘Si të diplomuar, keni investuar shumë për të arritur deri këtu, rritja juaj personale është falë përkushtimit ndaj fushave shkencore që keni zgjedhur, kureshtjes dhe qëndrueshmërisë intelektuale, orëve të panumërta studimi, reflektimi dhe kërkimi. Si profesor me profesion, më lejoni t’ju them gjithashtu se fundi i studimeve tuaja është vetëm fillimi i një kapitulli të ri në jetën tuaj, një kapitull me përgjegjësi më të madhe që familjet tuaja dhe e gjithë shoqëria jonë presin nga ju’ tha ministri Shaqiri.
Shaqiri tha se është i bindur se me aftësitë, njohuritë dhe eksperiencat që ka marrë Universiteti “Nënë Tereza”, do t’i bashkohet shumë shpejt tregut të punës dhe do ta shfrytëzon edukimin për ndryshime pozitive në mjediset ku do të vepron.
Në absolventiadën e këtij viti u shpallën pesë studentët më të mirë nga fakultetet përkatëse, dhe atë nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike, Shermin Memed me notë mesatare 9.2, nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë Diellza Idrizi me notë mesatare 9.46, nga Fakulteti i Shkencave Informatike, absolventi Ardrin Rexhepi me notë mesatare 10.00, nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Ersan Kurti me notë mesatare 10.00, dhe Anesa Ameti nga Fakulteti i Shkencave Teknike me notë mesatare 9.95.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *