Ushtria izraelite tërhiqet nga qyteti palestinez i Xhenin, protesta dhe raketa të lëshuara nga Gaza

Bota Lajme

Dymbëdhjetë palestinezë, mes të cilëve katër të mitur, si dhe nje ushtar izraelit kanë humbur jetën sipas raportimeve, në një prej operacioneve më të mëdha ushtarake të Izraelit në zonën e pushtuar të Bregut Perëndimor vitet e fundit.

Sot mediat raportonin për tërheqje të Izraelit nga qyteti palestinez i Xhenin, teksa citohej zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari të thoshte se të gjitha trupat ishin larguar nga qyteti, ndërsa pamjet konfirmonin karvanët e autoblindave që largoheshin nga qyteti.

Sot rezidentët e shokuar të kampit të refugjatëve në Xhenin nisën punën e gjatë e të vështirë të pastrimit  e riparimit të shtëpive të tyre, duke mbledhur materiale mes rrënojave dhe pirgjeve të dheut, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Bulldozerë përpiqeshin të largonin makina të djegura dhe teknikë punonin në rrjetin e nderprere elektrik.

Ndërsa të rinj të maskuar e të armatosur mbanin sot trupin e një viktime në barrelë, me të cilën nisnin funeralet e pasdites. Mes brohorimeve të tyre dëgjohej: “Me fat është martiri dhe nëna e tij, më mirë të ishte nëna ime sesa ti,” dhe më tej: “Rri i qetë martir, do të vazhdojmë përpjekjen tënde”.

Mes dymbëdhjetë palestinezëve të vrarë në operacionin në Xhenin, pesë raportohet se ishin militantë të armatosur. Gjatë tërheqjes së ushtrisë, zyrtarë izraelitë thanë se një ushtar ishte vrarë nga zjarri i armëve.

Palestinezët pas largimit të ushtrisë nisën të protestonin me flamurë në kufirin e Gazës me flamurë dhe me djegie gomash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *