Kurti i reagon Borrellit: Pretendimet e rreme ndezin tensionet

Bota Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklarimeve të Shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit më herët gjatë ditës është shprehur i alarmuar nga situata në veri të vendit tonë, teksa i ka quajtur të jashtëligjshme arrestimet e serbëve në Kosovë. Ai po ashtu e ka përmendur edhe marshimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë.

Ndaj këtyre pohimeve i pari i ekzekutivit të Kosovës ka reaguar: “Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme veç sa ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato”, ka shkruar Kurti në “Twitter”

Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që t’i konfirmojnë burimet e tyre dhe të presin informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosin të angazhohen publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve.

Tutje kryeministri Kurti ka thënë se arrestimi i sotëm i një serbi është bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor për sulmin e kryer mbi ushtarët e KFOR-it në Zveçan në 29 maj.

“Si kryeministër i një shteti demokratik nuk kam asnjë përfshirje në hetime dhe arrestime”, ka shkruar tutje Kurti.

Ndërkaq sa i përket stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, kryeministri ka thënë se ai ka qenë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar.

“Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni ‘Minatori’ në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka nënvizuar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *