Orban i ka kërkuar Vuçiçit që t’i kthejë policët e arrestuar

Bota Lajme

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Në këtë takim, Orban i ka kërkuar Vuçiçit që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, ju kërkoj i dashur Aleksandër që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e tyre”.

“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.

Më 14 Qershor, 3 policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviç.

Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar Serbisë që të lirojë policët e Kosovës, pa kushte.

Orban po ashtu tha se Hungaria, që e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi ende refuzon ta pranojë, po përcjellë ngjarjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne po e shohim se çfarë po iu bëhet serbëve. Mendoj se është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të pranojë zgjedhje, ku kanë marrë pjesë rreth 4 për qind e votuesve, dhe t’i konsiderojë ato ligjore dhe të njohë rezultatet. Kjo është ajo që ne shohim dhe është e qartë për ne”, shtoi Orban.

Gjatë konferencës për media me Orbanin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rastin e tre policëve të arrestuar po punon “me autoritetet kompetente”.

Ai shtoi se do të shqyrtojë çdo kërkesë të Hungarisë.

Vuçiç përsëriti se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas ftesës që u është dërguar dy liderëve nga Bashkimi Evropian për një takim për menaxhimin e krizave.

Lideri serb përsëriti kërkesat e Serbisë, në mënyrë që të zhvillohet takimi me Kurtin: tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe ndalimin e arrestimit të serbëve.

Ftesa e Brukselit për Vuçiçin dhe Kurtin erdhi pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Më 26 Maj, serbët kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin-Potok.

Kryetarët e rinj u zgjodhën në zgjedhjet e 23 Prillit që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe në veri./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *