Shqipëria fitoi 2 me 0 sfidën me Moldavinë në stadiumin “Air Albania”

Lajme Sport

Shqipëria fitoi 2 me 0 sfidën me Moldavinë në stadiumin “Air Albania”. Golat u shënuan nga Asani dhe Bajrami. Ndeshja u transmetua drejtpërsëdrejti në ekranin e televizionit kombëtar Klan.

Kombëtarja arriti fitoren e parë në kualifikueset e Euro 2024, duke marrë edhe pikët e para që vlejnë për objektivin, pjesëmarrja në fazën finale që do të mbahet të Gjermani.

Shqipëria e drejtuar nga Sylvinho mundi me rezultatin 2 – 0 Moldavinë të shtunën në stadiumin “Air Albania” i mbushur i tëri për këtë sfidë që u transmetua si zakonisht në Tv Klan.

Golat u shënuan në pjesën e dytë nga Jasir Asani dhe Nedim Bajrami, duke e ngjitur skuadrën në vendin e tretë me po aq pikë sa Polonia që renditet e dyta.

Në pjesën e parë kuqezinjtë kishin disa raste ku u veçua shtylla e Cikalleshit, ndërsa i lejuan pak kundërshtarëve.

Tifozët pritën deri në minutën e 52’ për të festuar golin që erdhi nga këmbët e Jasir Asanit, i pari për të me Kombëtaren. Goditja e tij nuk i dha mundësi portierit Railean të reagonte.

 

Në të 76’ një gabim i moldavëve u kthye në kundërsulm nga kuqezinjtë. Kësaj here ishte Nedim Bajrami, i cili realizoi dhe ndezi përsëri atmosferën në fushë dhe tribuna.

Një fitore me rëndësi kjo e Kombëtares që të martën do të luajë në transfertë me Ishujt Faroe që u mund me rezultatin 3 – 0 nga Çekia. Qëllimi janë përsëri 3 pikët, pasi në Shtator Shqipërinë e presin dy ndeshje të vështira me Çekinë në transfertë dhe Poloninë në shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *