Ambasadorja amerikane në NATO: Dialogu i ndërmjetësuar është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë

Bota Lajme

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme përpara për Kosovën dhe Serbinë, tha ambasadorja e përhershme amerikane në NATO, Julianne Smith, më 14 Qershor. Kjo ishte përgjigja e saj në pyetjet e gazetarëve lidhur me tensionet aktuale në veri të Kosovës.

“Prioriteti numër një është ndërmarrja e masave të menjëhershme nga të dyja palët për të shtensionuar situatën”, tha Smith.

Ajo tha se aleatët e NATO-s po përcjellin “me interes të madh dhe me shumë shqetësim” zhvillimet në Kosovë.
Smith i bëri këto deklarata gjatë një konference online për media para takimit të ministrave të Mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel më 15 dhe 16 Qershor.

Ajo theksoi se SHBA-ja ishte e para që dënoi dhunën kundër ushtarëve të NATO-s, veçmas ndaj trupave të kontingjentit italian dhe hungarez.
“Ne besojmë se personat që shkaktuan dhunë duhet të mbahen përgjegjës përmes procedurave ligjore dhe transparente”, tha Smith.

Ajo tha se SHBA-ja inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Qeverinë e tij që të sigurohet që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, të kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

“Ne po ashtu i inkurajomë ata që të tërheqin njësitë policore nga ndërtesat komunale”, tha Smith, duke shtuar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë për të ulur gatishmërinë dhe numrin e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

“Por, thelbi i kësaj çështjeje është se – që njëherësh është edhe qëndrimi i gjithë aleancës – dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja është rruga e vetme përpara dhe se ky mesazh i NATO-s u është përcjellë të gjithëve”, theksoi Smith.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, me serbët lokalë që po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, që janë zgjedhur më 23 Prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *