Festa e Pashkëve në Kosovë, Imzot Gjergji: Të mbretërojë paqja dhe toleranca! T’u jepet fund konflikteve kudo në botë

Bota Lajme

Ipeshkvia Prizren-Prishtinë ka organizuar meshën solemne në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë në vigjilje të festës së Pashkëve e cila përkon me ringjalljen e Krishtit.

Kësaj meshe solemne i ka prirë ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovë Jean Marie Speich si i ftuar nderi.

Ipeshkvi Dodë Gjergji, pasi ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë, ka folur për vizitën e delegatit Apostolik të Selisë së Shenjtë Jean Marie Speich, i cili ka takuar përfaqësues të shtetit të Kosovës me të cilët ka biseduar për raportet ndërmjet dy vendeve.

“Shpresoj shumë se së shpejti do të avancojmë zgjidhje të nevojshme dhe që do të përparojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë,” ka thënë Gjergji.

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka folur për rëndësinë e festës së Pashkëve dhe rolin e Shën Nënë Terezës që shërbeu për të mirën e njerëzimit në mbarë botën.

“Sikur e kemi ndezur qiriun e Pashkëve dhe flakën e zjarrit, çdo njëri prej nesh mund të ndezë kandilin e shpirtit të vet duke u pagëzuar e nëpërmes pagëzimit e kap një gacë në zjarrin e kësaj dashurie dhe e ngroh zemrën e tij, e duke e ndezur zjarrin e kësaj dashurie me zemrën e vet vazhdon të bëjë veten ashtu, t’i falë njerëzit varësisht se çfarë gabimesh mund të bëjnë dhe të duan të afërmit sikurse vetveten. Drita e Krishtit mbi ne dhe zjarri i dashurisë që ndizet brenda nesh ,sigurisht se e ka bërë botën më të mirë dhe vazhdon ta bëjë botën më të mirë, nëpërmes të shenjtëve të kishës dhe një nga ato ka qenë Shën Nënë Tereza, bija e kishës sonë që ne ia kemi kushtuar këtë katedrale,” ka thënë ai.

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka bërë thirrje që paqja të mbretërojë dhe t’iu jepet fund konflikteve kudo në botë.

“Duhet të dimë çka është e dobishme për të arritur paqen në botë, dhe për të ruajtur paqen ndër ne, pasi sot si ata që jetojnë në zonën e konflikteve dhe luftërave dhe e vuajnë tmerrin e vuajtjen e vdekjes, edhe ata që kalojnë ditët e jetës në mungesë të saj mbeten të frikësuar e të frikësuar nga pasojat që ajo bie…Ne mbetemi padyshim dhe me bindje të plotë nuk do të pushojmë t’i lutemi Zotit që të zbusë zemrat e ngurta dhe të çlirojë nga urrejtja çdo njeri sidomos ata që kanë përgjegjësi për të ruajtjen paqen në botë dhe vendin tonë…Ne ftojmë të gjithë njerëzit varësisht bindjeve të tyre fetare, përkatësive etnike, apo përgjegjësive politike të bëjmë ç’është e mundur që ndër ne të mbretërojë paqja dhe toleranca, dhe çdo harmoni tjetër e për ta arritur këtë është më se e domosdoshme që sa më parë të arrihet pajtimi,” ka thënë Gjergji.

Ndryshe, në vigjilje të Pashkëve nesër nga ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, të cilës do t’i prijë ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, ndërsa nga ora 19:00 bëhet pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Pashkët janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të besimit katolik që kremtojnë ringjalljen e Krishtit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *