NË SHENJË PËRKUJTIMI TË 14 MARSIT/ DHUNA NUK NDALET ME PAMFLETE

Lajme Maqedoni
NË SHENJË PËRKUJTIMI TË 14 MARSIT
Shkruan: Syrja Etemi
(SHKËPUTJE NGA DITARI IM I LUFTËS)
14 mars, 2001 (e mërkurë)
DHUNA NUK NDALET ME PAMFLETE
Edhe pse, të thuash, kishte ditë që përleshjet fizike me shkaun kishin filluar në Malësinë e Karadakut, si në Tanushë, Brezë e Malinë, popullata tetovare më në fund u zgjua nga pllakosja e përgjumur e robërisë dhe tutellës sllave, e ngjizur me “skllavërinë demokratike”. Mu këtë ditë u gjet momenti aq i pritshëm për të çuar lartë kokën dhe zërin e kushtrimit : këtu – mu në qendër të qytetit shqiptar, përkatësisht në sheshin që mban emrin e një shkau anonim. Si një orkestrinë harmonike mirë e organizuar dhe koordinuar nga aktivistë dhe luftëtarë, të cilët nuk e duronin dot përkuljen, u demonstrua revolta kundrejt dhunës së ushtruar ndaj popullit shqiptar në përgjithësi në BJRM, dhe në veçanti ndaj represionit ushtarako – policor ndaj popullatës shqiptare të viseve të lartëcekura, (përkundër organizimit paradoksal të “Tubimit për paqë” – në Shkup, të fabrikuar në kuzhinat sllave dhe të realizuar nga kuzhinierë të partizanëve shqipfolësish-vazalë të pushtetarëve serbofilë e bullgarofilë. Mitingu i “paqës”, siç thamë, një ditë para mbajtjes së protestës gjithëkombë-tare të Tetovës,u mbajt në Shkup, në sheshin: “Maршал Тито” me ceremoniale ekstravagande, kur në qiellin e përhirtë, u lëshuan pëllumbat “gri”). Ç’hipokrizi e kohës!… Ç’tragjedi e kombit! …
U bëra “një ushtar” më tepër në tubimin e Katërmbëdhjetë Marsit, bashkë me tre shokët e mi – kolegë të punës, duke i dhënë fuqi korrit rebelues të rinisë shqiptare.
E vogël ishte “Qendra” për të “gëlltitur” gjithë ato vargane të gjata njerëzish që vinin për t’i thënë “STOP DHUNËS!”, “STOP TERRORIT MBI SHQIPTARËT!” Bile kjo ishte edhe motoja e tubimit, i cili, nga ora 12-00 u përshëndet me rafale “Kallashnikovi” të djelmoshave të lirisë, të cilët me gjuhën e tytave sikur na jepnin kurajo: “Qëndroni! Neve këtu na keni!” Ja ku e keni shkabën dykrenore – në Kalanë Arbërore!”
Tubimi i mbajtur nën valëvitjen e flamurit kombëtar në Kalanë e Pashait shqiptar të Tetovës, Abdurahman Pashës, u ndërpre në shenjë përkrahjeje me aktin e guximshëm dhe vetmëmohues të Ushtrisë sonë Kombëtare. Të gjithë me një unison uruam:
Na q o f t ë për hajr !
ORA 15-⁰⁰
Nën shurukatjen e armëve dhe vërshëllimat e plumbave, madje edhe nën trysninë e një gjendjeje të krijuar kaotike në trafik, mbërritëm në fshat. Në hapësirat e Bashkësisë Lokale ishin mbledhur grumbull i madh bashkëfshatarësh, kryesisht të rinj. Hymë brenda, jo për të hezituar apo për të parë seri, por për të shprehur gatishmërinë tonë në dhënien e kontributit aty ku mund të jepnim, së pakut të atij moral. Posa u futëm brenda e zumë vend në atë kallaballëk, menjëherë u futëm “në detyrë”. Ajo që menjëherë na befasoi këndshëm ishte fakti se shumë të rinj, pa kurrnjëfarë mëdyshjeje kërkonin të regjistroheshin për “në mal”. Brenda gati një ore u bënë te dyzet ushtarë vullnetarë, të cilët , me ndërmjetësimin e H. E. drejtoheshin për te personi H. nga f.Xhepçisht ( paraprakisht i caktuar nga “lartë”), dhe, prej këtu – në Xhermë e Sellcë, ku dy ditë më parë ishte rekrutuar “shtatëshja rebele”: M. A., H. Sh., B. B., I. B., A. A., N. S. dhe E. N.
Me këto veprime “burokratike”, më, veç edhe formalisht u formua Shtabi Lokal i UÇK, ku edhe Ne u inkuadruam në të ,që,mëpastaj, për të marrë detyra konkrete dhe operative. Ky aktivitet i joni në këtë situatë të krijuar i ngjan punës së muratorëve fillestarë të shtëpive, të cilët edhe ndërtojnë, edhe mësojnë se si ndërtohet…
Duke marrë parasysh se objekti ku gjendeshim, nuk ishte funksional dhe i përshtatshëm, propozuam dhe vendosëm ta ndërrojmë atë, për t’u locuar në lokalin e improvizuar apo adaptuar të pronarit, S. Sh. (drejtues i firmës: “Shaza Komerc”). Këtu u vendosëm në ora 19-⁰⁰, ku më vonë këtë e siguruam me ushtarë të armatosur e të maskuar, sepse ende nevojitej veprimi në fshehtësi, pasi që pushteti sllavo-maqedon ka shtri dorën e vet të zezë, të thuash, në çdo mjedis shqiptar, në çdo vendbanim. Këto skena që shihnim, sa ishin inkurajuese për shumicën e të rinjve tanë, aq ndjellnin edhe ndruajtje dhe skepsë te gjeneratat e shtyra, të cilëve, shkau ua ka shti frikën në palcë.
Nuk di se si më shkrepi shikimi vetëtimthi drejt ushtarit “anonim” (E. E.) të uniformuar e të maskuar, i cili me një mitralez në dorë qëndronte në roje afër derës së dhomës ku bënim planet për ndojnë strategji më racionale…dhe, si pa teklif, vetmevete thashë: “vetëm kjo loçkë (për pushkën) që e ndal shkaun dhe e bën “demokrat”.
Grupe të vogla e të mëdha bashkëfshatarësh na “kujtojnë” herë pas herë. Ka të atillë që si me dyshim i shikojnë punët tona, duke pretenduar të “justifikojnë” mosgatishmërinë e tyre për përkrahje, bile ndonjë plak “mençurak” na akuzon se “do t’i marrim të rinjtë në qafë” dhe se “me dërxhavën nuk luftohet”; kurse, ndonjë ka aftësi ta kamuflojë mëdyshjen nën retorikën “bombastike kundër shkaut”.
Sido që të jetë, ne jemi të vendosur të qëndrojmë të patundur në rrugëtimin tonë e t’i realizojmë objektivat e marra përsipër në mënyrë vullnetare,pasi kemi përkrahjen e rinisë dhe forcave pragmatike të Ushtrisë,për të cilën,do të ishim jokorrekt nëse nuk do të shprehim edhe realitetin tjetër se,në kuadër të saj janë të infiltruar,apo tentojnë të futen edhe persona me dosje të dyshimtë.
Gjejmë kohë për të ndjekur një skenë në TV (maqedonas) – “SITEL” që përcillte mbajtjen e mitingut të Tetovës ,e ku një gazetar i kësaj TV-Private iu qas një shqiptari me plis të bardhë rreth të gjashtëdhjetave,të cilit ia ofroi mikrofonin dhe e pyeti:”Çka pritni këtu,zotëri?”,kurse ai u përgjigj prerazi në vend:”Pres të vijnë ATA nga MALI”.
Qe,ky,moment që ndezi atmosferën në lokalin ku ishim,e ku qëndruam deri në mëngjes,e,prej ku shkuam në PUNË (në shkollë), ku tre “bashkëprotestuesit” punojmë bashkë .
(Për shkaqe sigurie, më vonë Shtabi u dislokua në shtëpinë e Isë H. Baftiarit, që shërbeu jatak për shumë ushtarë të UÇK-së)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *