Rezolut e re në Senatin amerikan për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Lajme Maqedoni

SHBA e mbështet inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) në rezolutën më të re në Senat, të sponsorizuar nga senatori demokratik i Vermontit, Piter Velç, senatorja demokratike nga Nju-Hempshir dhe senatorët republikan nga Nebraska dhe Karolina e Veriut, Pit Rikets dhe Tom Tilis.

Në rezolutë, siç transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, Senati i bëri thirrje presidentit dhe sekretarit shtetëror të SHBA-së, si dhe aleatëve evropian, të bëjnë përpjekje për hapjen e klasterit të parë negociues të BE-së me Maqedoninë e Veriut, pa kushte dypalëshe plotësuese.

“Presidenti dhe sekretari shtetëror të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ta mbështesin zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në rezolutë.

Në rezolutë theksohet edhe mbështetja e Senatit për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut t’i ndërmarrë reformat e domosdoshme për përparimin e anëtarësimit në BE.

Senati, “e inkurajon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë me punën e saj të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe përpjekjet për vazhdimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Evropën Lindore”.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe u bë kandidat zyrtar për BE në vitin 2005, si dhe vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që filloi një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 2022, si pjesë e Deklaratës për partneritet dhe bashkëpunim strategjik që nga viti 2008.

“Maqedonia e Veriut mbetet një partner i rëndësishëm i sigurisë së Bashkimit Evropian dhe i ShBA-së dhe një aleat i NATO-s, duke i ofruar Ukrainës ndihmë humanitare dhe pajisje të rëndësishme ushtarake, duke votuar në favor të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Asamblesë së Përgjithshme kundër agresionit rus, duke miratuar të gjitha sanksionet ruse nga Bashkimi Evropian”, thuhet në rezolutë.

Në tetor të vitit të kaluar, senatorët Velç dhe Shahin vizituan Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, duke theksuar mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe sigurinë në rajon, në kushte të agresionit rus kundër Ukrainës.

“Inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të forcojë stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor, do të promovojë kohezionin evropian dhe do të refuzojë më tej ndikimin malinj të Rusisë në rajon dhe më gjerë. Përparimi i mëtejshëm i Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit shënon një moment historik të rëndësishëm për një vend që tashmë ka bërë hapa të rëndësishëm në atë rrugë. Maqedonia e Veriut vazhdon të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe partneritetit transatlantik. Jam i bindur se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të sjellë mundësi të shtuara për biznes dhe tregti, si dhe koordinim shtesë ndërmjet Gardës Kombëtare të Vermontit dhe Armatës së Maqedonisë së Veriut”, tha senatori Velç. sa/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *