Xhaferi për protestat në pesë universitete shtetërore: Në zgjedhje të planifikuara nuk nënshkruhen marrëveshje kolektive

Lajme Maqedoni

Kryeministri Talat Xhaferi sot në konferencë për shtyp, lidhur me protestat në pesë universitete shtetërore, tha se në zgjedhje të planifikuara nuk nënshkruhen marrëveshje kolektive dhe se protestat përdoren për qëllime ditore-politike.

Ai sqaroi se të gjithë kanë të drejtë proteste dhe greve, por zgjidhja e kësaj situate, siç tha, do të kërkohet pas zgjedhjeve.

Anëtarët e sindikatave të pesë universiteteve shtetërore “Goce Dellçev” – Shtip, “Shën Klimenti Ohrit” – Manastir, Universiteti shtetëror në Tetovë, “Shën Apostoli Pal” dhe “Nënë Tereza” në Shkup të hënën në një protestë paqësore kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes kolektive në këto universitete dhe barazimin  e të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive me Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” – Shkup. Ata e përshëndetën nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes kolektive në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” nga Shkupi, por në të njëjtën kohë theksuan statusin e pabarabartë të pesë universiteteve tjera publike në vend. Besojnë se janë injoruar dhe diskriminuar nga Qeveria dhe Kuvendi në raport me UKIM-in, punëtorët e të cilit nga ky muaj do të kenë rritje të pagave prej 22 për qind me marrëveshjen kolektive të nënshkruar.

“Zgjidhja është të presim të përfundojnë zgjedhjet. Kuvendi është themelues. Kuvendi nuk është as parti politike, as person. Kuvendi është institucion shtetëror dhe autoriteti më i lartë. Në çdo format, pas zgjedhjeve vazhdon procedura e nisur lidhur me kërkesat. Kushdo që të jetë kryetari i Kuvendit dh kushdo që të jetë përbërja e shumicës së ardhshme do të duhet të autorizojë kryetarin e Kuvendit sepse ky aktual pas zgjedhjeve nuk ka kohë ta bëjë këtë. Gjatë zgjedhjeve ai nuk mund t’i qaset kësaj, prandaj zgjidhja është që procedura të vazhdojë pas zgjedhjeve. Duke pasur parasysh se nga përvoja, ato dobësi që kishte kërkesa e UKIM-it tashmë janë tejkaluar, sepse të gjithë kishin shembull nga përmbajtja e kontratës nga UKIM se si duhej të duket e gjithë kontrata, ua dhashë që kur ishin tek une, që më lehtë të mund të përfundojë procedura”, tha Xhaferi.

Thotë se ata nuk kanë qenë të diskriminuar, sepse nuk kishin krijuar sindikata me kohë.

“Nuk kishin sindikata, sepse disa nga profesorët ishin sipas inercisë anëtarë të sindikatave, sindikatave të përgjithshme në MASH. Dhe kur e panë shembullin e UKIM-së, të cilët kanë marrë dhe kanë lexuar ligje, që duhet të kishin një sindikatë të pavarur si institucion të pavarur, në atë shembull. Pra, si janë të diskriminuar ? Prej sa kohësh ekzistojnë këto universitete, më i riu është UNK – do të thotë Universiteti “Nënë Tereza”. Pra, pse nuk krijuan me kohë sindikatat që t’i kishin si i bënë pasi unë theksova se duhet ta bënin”, tha ai.

Deputeti Arbër Ademi dje deklaroi se deputetët e shumicës qeverisëse kanë dorëzuar në Kuvend ndryshime të Ligjit për Arsimin e Lartë, me të cilat pritet të rregullohet koeficienti i pagesës së pagave për të punësuarit në institucionet publike të arsimit të lartë. Ai pret që ligji të miratohet gjatë seancës plenare të kësaj jave.

“Duke pasur parasysh se zgjedhjet janë shpallur, ndërsa kryetari i Kuvendit edhe pse dëshiron, por neni 8a i Kodit Zgjedhor ndalon nënshkrimin e kontratave kolektive. Duke u gjendur në një situatë të tillë ku nuk është e mundur të nënshkruhet një marrëveshje kolektive me universitetet e tjera, ne deputetët e shumicës qeverisëse morëm iniciativën, ato anëtarë që janë në marrëveshjen kolektive që Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” ka lidhur me Kryetain e Kuvendit në dhjetor 2022, të fiten këtu me një akt juridik më të fuqishëm – me ligj dhe dispozita të cilat do të zbatohen për të gjitha universitetet publike. Në ligjin e propozuar po ashtu theksohet se ky ligj do të hyjë në fuqi në ditën e tetë të botimit në Gazetën Zyrtare, që do të thotë se do të hyjë në fuqi gjatë këtij muaji”, theksoi Ademi, duke shprehur shpresën se këto ndryshime ligjore do të marrin mbështetjen e të gjithë deputetëve në Kuvend. ls/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *