Taravari: Kurti më ka inkurajuar që të kandidoj për president të Maqedonisë së Veriut

Lajme Maqedoni

Kandidati nga Opozita e Bashkuar Shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka treguar përse vendosi që t’i hyjë garës presidenciale.

Taravari tha se në një takim joformal me anëtarë të partisë Aleanca për Shqiptarët ishte deklaruar kategorikisht kundër kandidimit për president të shtetit, por anketat ia ndryshuan mendimin.

“Në zyrën time në Komunën e Gostivarit kemi pasur një takim joformal. Aty ka qenë edhe Ziadin Sela dhe ministri i Drejtësisë. Aty është thënë që është mirë të kandidohet ose Ziadini ose Arbeni. Unë kam qenë kategorik se nuk jam i interesuar për të kandiduar për president. Këtë bindje e kam pasur për një kohë. Anketat të cilat i shihja dhe inkurajimi që e merrja, ma ndryshuan mendimin. Në anketa dalin numra shumë të mirë dhe shumë shpresëdhënës se mund të shkohet në raund të dytë”, tha Taravari në Rubikon të Klan Kosovës.

I pyetur nga gazetari Kelmendi nëse kryeministri Kurti ka ndikuar në vendimin e tij për të garuar për president, Taravari tha se Kurti e ka inkurajuar që ta bëjë një gjë të tillë.

“Ka pasur inkurajim edhe prej kryeministrit Kurti. Atë e kemi biseduar njëherë ose dy me Kurtin, ka pasur inkurajim, Kurti ka menduar se Arben Taravari mund të jetë një figurë e cila mund t’i unifikojë të gjitha partitë shqiptare dhe të jetë kandidat i vetëm”, u shpreh ai.

Taravari tha se kryeministri Kurti dhe kryeministri Rama vazhdimisht janë munduar t’i lehtësojnë proceset në Maqedoni të Veriut dhe se me të dy ka raporte korrekte.

“Në vitin 2020, në zgjedhjet parlamentare, Kurti na ka ndihmuar, gati se në çdo tubim të Aleancës ka pasur eksponentë të Vetëvendosjes, kemi relacione korrekte me Kurtin kur kemi qenë edhe ne edhe ai në opozitë. Absolutisht na ka përkrahur, jo vetëm tash, por në vazhdimësi ka pasur përkrahje. Kemi raporte shumë korrekte edhe me Ramën. Për ne, të dy institucionet, kryeministra shqiptarë edhe i Kosovës dhe i Shqipërisë, janë personalitete që gëzojnë autoritet dhe kanë impakt në Maqedoni”, tha Arben Taravari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *