Si qeverisja ashtu edhe fushata / Në vend të frymëzimit, ndarjet dhe “botë bardh e zi”,

Lajme Maqedoni

Në vend të frymëzimit, ndarjet dhe “botë bardh e zi”. Në vend të fjalëve inkurajuese, akuza të ndërsjella, në vend të lavdërimeve për një punë të bërë mirë, kritikat shumë shpesh pa bazë dhe shtrembërim të fakteve… Ne kemi jetuar në këtë realitet për një kohë të gjatë. Qytetarët janë të zhgënjyer dhe narrativat e dëmshme të përhapura përmes mediave dhe rrjeteve sociale vazhdojnë të intensifikohen në muajt që çojnë në zgjedhje të dyfishta dhe kthesat e mundshme në shtet. Partitë politike në përpjekje për të arritur sa më shumë vota po përdorin të gjitha veglat dhe kanalet. Shumica i “durojnë” kumtesat partiake që publikohen ndonjëherë edhe nga dhjetë herë në ditë, të cilat shpesh përmbajnë akuza të zhveshura të pambështetura nga faktet me fjalor fyes ndaj kundërshtarit politik.

“LSDM: Në vend të zgjidhjes, DPMNE bllokon lëshimin e pasaportave nga Pallati i Bardhë, duke pretenduar për muaj të tërë se do të zgjidhnin problemin e dokumenteve personale. Kur DPMNE hyri në Qeverinë teknike, ministri i tyre bëri kaos të mëtejshëm, u përpoq të krijojë panik midis qytetarëve duke paralajmëruar dënime dhe duke komplikuar procesin e lëshimit të pasaportave.”

“VMRO-DPMNE: LSD janë nervozë sepse shohin se ligji do të zbatohet për të gjithë – VMRO-DPMNE nuk do të mbulojë dhe zvarrisë rastet siç bëri LSD. Ne e kuptojmë nevojën e LSD në çdo mënyrë të mundshme për të defokusuar publikun nga krimet e saj dhe paaftësinë e MPB-LSD, e cila la 600 mijë shtetas në “paraburgim shtetëror”.”

Ky është vetëm një shembull i përleshjeve të përditshme midis partive politike, por narrativat e dëmshme nuk mbeten prapa as në fjalimet e deputetëve dhe në statuset e rrjeteve sociale.

“I panderuar, dezertues i Presidentit dhe kolegë të panderuar deputetë, sot po përgatitet “mastermajndi” i kontrabandistit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Patriotët me bateri të DPMNE-së, kuislingët e LSD-së dhe secionistët e BDI-së ia vendosën litarin demokracisë parlamentare përmes pikës 1 në Propozim-rregulloren plotësuese të punës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Këta tre udhëheqës politikë që thithin gjakun e popullit maqedonas duan që të mos ketë opozitë në të ardhmen”, është pjesë e fjalimit që Dimitar Apasiev, deputet dhe kryetar i së Majtës, e mbajti në seancën për amendamentet për Rregulloren e punës.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë planifikuar për 24 prill dhe 8 maj. Partitë dhe kandidatët potencialë tashmë po bëjnë fushatë edhe pse ajo fillon madje në prill. Numri i fjalëve negative, denigrimeve, shtrembërimeve të fakteve, dezinformatave… në përgjithësi narrativat e dëmshme rriten ashtu siç është pritur.

Profesoresha Eleonora Serafimovska nga Instituti për hulumtime sociologjike-politike juridike, e cila po punon në një hulumtim SHTET-NA me Institutin për studime të komunikimit, në deklaratë për MIA-n, thekson se pret që narrativat e dëmshme të intensifikohen dhe të mbizotërojnë si më parë duke minuar padrejtësisht besimin në institucione, informacionet e përzgjedhura njëanshëm, sulmet Ad hominem, në vend të sulmeve ndaj argumentimit të kundërshtarëve politikë, demonizimin e kundërshtarëve politikë, përhapjen e populizmit, përhapjen e frikës dhe panikut.

“Sikurse deri tani, pres një fushatë zgjedhore në të cilën politikat e jashtme njollosen, dhe flitet pak për vizionet, programet personale dhe mënyrën e realizimit të tyre. Unë pres që

narrativat të vazhdojnë, dëmi i të cilave është se ato inkurajojnë ndarjet midis nesh dhe jush, ne të mirë dhe të ndershëm në krahasim me ju të këqij dhe të pandershëm dhe të korruptuar, ne që jemi me popullin dhe ju që nuk e doni popullin e vet, ne që jemi përparimtarë dhe pro-evropianë në krahasim me ju që pengoni rrugën e ndritur të Maqedonisë në BE”, shprehet psikologu dhe komunikologu Serafimovska.

Ajo konsideron se subjektet politike do të vazhdojnë të frekuentojnë mediat sociale në mënyrë të shpeshtë, por, sikurse deri tani, jo për të komunikuar në mënyrë të mirëfilltë, të drejtpërdrejt, direkte dhe të hapur me publikun, por që thjeshtl të shprehin idetë dhe qëndrimet e tyre.

Pres, thotë ajo, përdorimin e fjalëve të ngarkuara emocionalisht që do të përforconin ndjenja të caktuara negative, politikanët të vazhdojnë të shpërfillin parimet dhe standardet e diskursit publik, debatit të hapur dhe vlerave demokratike.

“Duket se do të kalojë shumë kohë para se ndërgjegjësimi për pasojat e tmerrshme të narrativave të dëmshme politike të jetë një tendencë vetë-rregulluese në komunikimin politik”, konsideron profesoresha.

Kolegu i saj nga Instituti për hulumtime sociologjike-politike dhe juridike Jovan Bliznakovski gjithashtu nuk pret ndryshime të rëndësishme nga ato që kemi parë në të kaluarën.

“Narrativet e dëmshme do të përfaqësohen në fushatën zgjedhore, dhe e njëjta gjë vlen edhe për mobilizimin e qytetarëve përmes premtimeve klienteliste të punësimit, avantazheve dhe përfitimeve të tjera materiale. Në fushën e narrativave, do të kemi përleshje në linjën “pro dhe kundër BE-së”, “patriotë përballë tradhtarë”, sulme të ndërsjella se kush është më i korruptuar dhe/ose i paaftë për të drejtuar shtetin, etj. Pres më shumë nga e njëjta që kemi parë vitet e fundit, si brenda dhe midis blloqeve etnike”, shprehet politikologu Bliznakovski në deklaratë për MIA-n.

Antagonizmi i krijuar midis qytetarëve nga këto narrative të dëmshme, sipas profesoreshës dhe psikologes Ana Çuçkova nga Universiteti Sllav, krijon terren çorientimi për shkak të skepticizmit dhe mosbesimit të krijuar tashmë tek kushdo dhe asgjë.

“Për shkak se ky bipolaritet zgjat për disa dekada, ndarja në grupe dhe nëngrupe më të vogla do të jetë gjithnjë e më e theksuar. Ka shumë të ngjarë që veprimi të jetë më i përqendruar në nivel komunal. E pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë shumë më e ulët”, theksoi Çuçkova për MIA-n.

Politikanët dhe partitë do të punojnë për përdorimin transparent dhe etik të platformave të komunikimit

Hulumtimi SHTET-NA i kryer nga Instituti për studime të komunikimit në bashkëpunim me studiues dhe ekspertë në fushën e medias dhe komunikimit, gazetarë dhe profesionistë të medias matin narrativat e dëmshme politike. Këto janë rrëfime që kanë pasoja negative për shoqërinë, demokracinë dhe mirëqenien e individëve. Ato u referohen historive, ideve ose mesazheve të promovuara nga subjektet politike që nuk kanë qëllim të dobishëm për informimin e publikut ose promovimin e aktivizmit qytetar, por përkundrazi shërbejnë për ta manipuluar atë, gjë që i bën ata faktorët kryesorë për minimin e vlerave demokratike dhe humane në përgjithësi.

Hulumtimi është longitudinal dhe mbulon periudhën kohore nga 1 shtatori i vitit 2023 deri më 31 korrik të vitit 2024. Aktorët politikë në vend monitorohen duke monitoruar dhe analizuar faqet zyrtare të internetit dhe profilet zyrtare në Facebook të partive politike nga përbërja aktuale parlamentare që kanë më shumë se një deputet – gjithsej 10, si dhe profilet zyrtare në Facebook të kryetarëve të partive politike – gjithsej 10, si dhe të ministrave (anëtarë të Qeverisë – gjithsej 20) nga përbërja aktuale e Qeverisë.

Profesoresha Serafimovska thotë se qëllimi kryesor i këtij monitorimi është të hetojë nëse dhe si aktorët politikë në Maqedoni krijojnë, përdorin dhe ndajnë narrativa të dëmshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *