Gjesti i Vuçiçit gjatë fjalimit të gruas së Navalnyt tërheq vëmendjen në konferencën e Mynihut

Bota Lajme

Fjalimi i Yulia Navalnaya në konferencën e Sigurisë në Mynih u prit nga një ovacion i gjatë dhe në këmbë nga të pranishmit.

Siç shihet në video, duartrokitjeve nuk iu është bashkuar presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Dalja e saj në skenë u përshëndet nga shumica e të pranishmëve në sallë në këmbë dhe duartrokitje të gjata.

Siç shihet edhe në video, presidenti Vuçiq ishte ulur në rreshtin e parë dhe ndër të fundit që u ngrit në këmbë, por nuk iu bashkua duartrokitjeve. Në vend të kësaj, Presidenti i Serbisë rregulloi kufjet e tij për një rishikim të njëkohshëm, dhe më pas vazhdoi të qëndrojë në këmbë.

Yulia Navalnya foli për vdekjen e burrit të saj, Alexei Navalny duke thënë se ende nuk po mund t’u besonte raportimeve.

“Ju me gjasë e keni kuptuar lajmin e tmerrshëm. Nuk e di nëse ende duhet ta besoj këtë. Por, nëse raportimet janë të vërteta, atëherë dua që Putini dhe aleatët e tij ta dinë se do të jenë përgjegjës për gjithçka që i kanë bërë familjes time dhe vendit”, deklaroi Navalnaya.

Mesazhi i fundit i liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny në platformën e mediave sociale X ishte të mërkurën, më 14 shkurt, kur i dedikoi disa rreshta bashkëshortes me rastin e Ditës së të Dashuruarve.

Postimi i fundit erdhi dy ditë përpara se ai të ndërroi jetë në një qeli ruse në Arktik.

“Zemër, gjithçka është si një këngë me ty”, shkruan në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

“Ka qytete mes nesh, stuhi bore blu dhe mijëra kilometra. Por e ndjej se je afër çdo sekondë dhe të dua gjithnjë e më shumë”, pohoi ai.

Navalny u shfaq në humor të mirë gjatë një seance gjyqësore ditën e djeshme ndërsa sot u njoftua se ka ndërrua jetë në një qeli në Arktik.

Kujtojmë se politikani 47-vjeçar, ish-avokat që hyri në politikë më shumë se një dekadë më parë duke kritikuar udhëheqjen e presidentit rus dhe korrupsionin e përhapur, ndodhej në burg rreth 60 kilometra në veri të Rrethit Arktik.

Navalny, i cili ishte dënuar me burg deri në moshën 74-vjeçare, kishte paralajmëruar se Rusia e Putinit drejtohet nga “hajdutë dhe kriminelë” dhe se një ditë do të ketë ndryshime sizmike dhe rebelim.

Navalny mobilizoi protesta të mëdha antiqeveritare përpara se të burgosej në vitin 2021, pasi i mbijetoi një atentati me helmim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *