Qindra palestinezë largohen edhe nga Rafah në jug të Gazës prej nisjes së sulmeve

Bota Lajme

Qindra palestinezë largoheshin sot nga qyteti më jugor i Gazës, Rafah pasi ushtria izraelite ka sulmuar zonën ku kishin shkuar të strehoheshin më shumë se 1 milionë të zhvendosur prej luftës.

Megjithë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Benjamin Netanyahu thotë se po sulmon edhe Rafah në rrugë tokësore, zona ku më parë ushtria kishte urdhëruar të vendoseshin të larguarit prej sulmeve në Gaza. Tashmë duket se palestinezët e zhvendosur atje do të duhet të zhvendosen sërisht drejt rajoneve qendrore të Gazës.

Sot autoritetet palestineze thanë se 60 njerëz janë vrarë nga sulmet e natës kur ushtria izraelite goditi 14 shtëpi e tre xhami, thuhet në raportimin e rrjetit të Katarit, Al Xhazira.

Rafah, është qyteza rreth 35 km katrorë dhe është e mbipopulluar me palestinezë, të zhvendosur kur ushtria fillimisht e shpalli “zonë të sigurtë”.

Rawaa Abu Dayya, e zhvendosur disa herë me familjen e saj që prej nisjes së bombardimeve, është mes atyre që kishin ardhur së fundmi në Rafah.

“Jetojmë në një frikë të pabesueshme,” tha ajo për Al Jazeera. Familja banonte më parë në Beit Lahiya në veri të Gazës, ndërsa tani po ngrejnë tendë në Deir el-Balah në qendër të Gaza.

“Nuk ka asnjë vend të sigurtë. Për momentin po vendosemi këtu në Deir el-Balah kam frikë se do të humbas ndonjë anëtar të familjes,” shton ajo. Në fotogalerinë e mëposhtme shihen të zhvendosurit që largoheshin sot nga Rafah.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *