Izraeli injoron SHBA-në: Përgatitet për pushtimin e Rafah-së, Egjipti nis tanket në kufi

Bota Lajme

Pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së për të mos e bërë një gjë të tillë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të përgatitet për të evakuuar civilët nga qyteti jugor i Gazës, Rafah, përpara se shteti hebre të nisë atje një ofensive të zgjeruar kundër Hamasit.

Rreth 1.5 milionë palestinezë janë mbledhur në Rafah për të kërkuar strehim nga operacionet luftarake izraelite në pjesën tjetër të Rripit të Gzës. Washingtoni e paralajmëroi më herët Tel Avivin se pushtimi i Rafah-së do të ishte një “katastrofë”, e shqetësim shprehën edhe BE-ja dhe OKB-ja, ndërsa sipas Reuters, Egjipti ka nisur 40 tanke dhe autoblinda në gadishullin e Sinait, si pjesë e masave për të forcuar sigurinë në kufirin me Gazën.

Grupet e ndihmës thonë se është e pamundur që të evakuohen të gjithë personat nga qyteti kufitar. Netanyahu u kërkoi zyrtarëve ushtarakë dhe atyre të sigurisë të “paraqesin në kabinet një plan të kombinuar për evakuimin e popullsisë dhe shkatërrimin e batalioneve” të Hamasit. Argumenti i dhënë prej tij është se e konsideron të pamundur arritjen e qëllimit të kësaj lufte pa eliminuar grupin militant. Hamasi, sipas zyrtarëve izraelite, ka të paktën 4 bataljone në Rafah. “Është e qartë se aktiviteti intensiv në këtë qytet e dikton që civilët të evakuohen nga zonat e luftimit”, theksohet në deklaratë. Në fillim të kësaj jave, Netanyahu pati insistuar që “ trupat të bëhen gati për operacionin në Rafah duke profetizuar madje se “fitorja totale” e Izraelit mbi Hamasin është vetëm disa muaj larg.

Ai i bëri komentet teksa hodhi poshtë kushtet e fundit të propozuara të armëpushimit të Hamasit. Njerëzit që jetojnë në veriun e izoluar të Gazës sakaq i thanë BBC-së se fëmijët atje po mbeten pa ushqim për ditë të tëra, pasi autokolonave të ndihmave, gjithmonë e më shumë po u mohohet leja për të hyrë në territor. Disa banorë madje kanë nisur ta shtojnë miellin me ushqim kafshësh për të mbijetuar, por edhe rezervat e atyre drithërave tani sa vjen, e po pakësohen, thonë ata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *