Instituti IDEA: Cilësia në arsim duhet të shpallet emergjencë shtetërore

Lajme Maqedoni

Instituti IDEA ka analizuar rezultatet e testit PISA për vitin 2022 të publikuara me datë 5 dhjetor 2023. Niveli i ulët i performancës së nxënësve si dhe përkeqësimi i performancës krahasuar me vitin 2018 ngrisin alarmin për cilësinë e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Në anën tjetër, reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mbi këto rezultate është i papërgjegjshëm dhe shpërfaq mos-interesimin për përmirësimin e gjendjes.

Gjetjet kyçe të raportit të PISA përfshijnë:

Rënie të performancës në të tre dimenzionet e matjes krahasuar me vitin 2018, edhe atë: në matematikë për -6 pikë, në lexim për -34 pikë dhe në shkencë për -33 pikë;
Maqedonia e Veriut është ndër tre vendet me rënie më të lartë të performancës në lexim dhe shkencë krahasuar me vitin 2018;
Rënie e proporcionit të nxënësve në kategorinë e performuesve të lartë, edhe atë me -15.6% në matematikë, -53.7% në lexim dhe -42.8% në shkencë.
Në anën tjetër, kemi përmirësim në proporcionin e nxënësve që janë performues të dobët në lexim dhe shkencë (me zvogëlim prej 4.4% dhe 16.4%), mirëpo rritje të proporcionit të performuesve të dobët në matematikë, edhe atë me 11.9%.
Përafërsisht 4,014 nxënës janë në pasiguri për ushqim, duke deklaruar që atyre u ndodh që gjatë javës të mos kenë mundësi të hanë një ushqim përshkak të mungesësë së të hollave.
Numri i nxënësve 15 vjeçar është zvogëluar për 3%, apo 563 më pak nxënës, krahasuar me vitin 2018, që reflekton pasojat e migrimit si dhe popullsinë në plakje;
Në anën tjetër, Instituti IDEA kundërshton qasjen shpërfillëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e cila me datë 5 dhjetor 2023 deklaroi që ‘’Me një diferencë minimale, rezultatet për Maqedoninë e Veriut ruajnë nivelin që ishte në vitin 2018.’’ Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, dhe në fakt është pikërisht e kundërta! Maqedonia e Veriut është ndër 3 shtetet me rënien më të madhe të performancës në lexim dhe shkencë (përkrah Islandës dhe Shqipërisë), ndërsa rënie ka po ashtu edhe në matematikë (Raporti i PISA 2022, faqe 155 & 156). MASh duhet ta pranojë realitetin që performanca e nxënësve ka pësuar rënie të konsiderueshme dhe me urgjencë të propozojë dhe ndërmerr masa për përmirësim të sistemit arsimor.

IDEA inkurajon që rezultatet e PISA për vitin 2022 të merren seriozisht nga organet kompetente, duke filluar me masat në vijim:

Parlamenti ta shpallë emergjencë dhe prioritet nacional rritjen e cilësisë së arsimit;
Të themelohet komision i veçantë, gjithpërfshirës, për reforma në arsim, me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit;
Të rriten mjetet financiare për arsim në nivel të shteteve të OECD;
Të zhvillohet program i veçantë i vetingut, trajnimit dhe aftësimit të vazhdueshëm të mësuesve;
Të bëhet përshtatje e kurrikulave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare me kontekstin real të arsimit në Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *