Ushtria izraelite shtyhet drejt jugut të Gazës të mbushur me qindramijë refugjatë

Bota Lajme

“Nuk kam fjalë që të përshkruaj tmerret që po i godasin fëmijët këtu”, tha zëdhënësi i Unicef-it, James Elder.

Ushtria izraelite e zgjeroi operacionin e saj në Rripin e Gazës të hënën, ndërsa numri i të vdekurve nga palestinezët vazhdon të rritet.

Forca e Mbrojtjes Izraelite “operon kudo ku Hamasi ka bastione”, tha zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari të dielën vonë në mbrëmje.

Ushtarët izraelitë filluan një ofensivë tokësore më 27 tetor në Gaza, duke marrë nën kontroll disa sektorë në veri.

Që kur luftimet rifilluan të premten pas përfundimit të një armëpushimi njëjavor me Hamasin, ushtria ka kryer kryesisht sulme ajrore.

Tani trupat dhe tanket e saj po shtyhen drejt jugut, ku qindra mijëra refugjatë kanë kërkuar strehim nga luftimet.

Një sulm ajror gjatë natës goditi hyrjen e spitalit Kamal Adëan, në veri të Gazës, duke vrarë disa njerëz, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.

Hamasi e quajti këtë sulm një “shkelje të rëndë” të ligjit ndërkombëtar humanitar.

E pyetur nga AFP nëse kishte bombarduar spitalin, ushtria izraelite nuk u përgjigj menjëherë.

Izraeli akuzon Hamasin për vendosjen e infrastrukturës ushtarake brenda ose nën spitale dhe përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Disa kritikë pretendojnë se Izraeli përdor këtë argument të mburojës njerëzore për të larguar vëmendjen nga sjellja e tij, ndërsa ligji ndërkombëtar ende i detyron shtetet të mbrojnë jetën civile gjatë luftimeve.

Dëshmitë që Izraeli ka ofruar se Hamasi po përdor spitalet për të fshehur ushtrinë e tij, janë kritikuar.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit raportoi të hënën se pesë nga ushtarët e saj ishin vrarë, përfshirë tre të dielën.

Më herët sot, ushtria izraelite nisi gjithashtu operacione në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, veçanërisht në Jenin, duke vendosur rreth 30 automjete ushtarake., sipas Wafa.

Spitalet në Gazën jugore janë të mbingarkuar nga fluksi i të plagosurve me rezervat e karburantit për gjeneratorët që po vijnë duke u tharë.

Në spitalin Nasser në Khan Younes, më i madhi në Gazën jugore, të plagosur të tjerë dhe kufoma të tjera, ndonjëherë pa njeri që t’i identifikojë, vërshojnë pas çdo shpërthimi.

“Më mungojnë fjalët që të përshkruaj tmerret që po i godasin fëmijët këtu,” tha James Elder, një zëdhënës i UNICEF, i pranishëm në Nasser, në një video të dielën. “Unë shoh fëmijë masivisht mes viktimave,” deklaroi ai në X.

Që nga fillimi i luftës, ushtria izraelite ka kryer “rreth 10,000 sulme ajrore”, tha Forca e Mbrojtjes e Izraelit të dielën.

Autoritetet palestineze raportuan të dielën se 15 mijë e 523 persona, 70% e tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor, të shkaktuar nga sulmi i përgjakshëm i Hamasit në Izraelin jugor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *