BE presion Greqisë për Shqipërinë! Athina vendos fatin e Fredi Belerit si kusht për integrimin në BE

Bota Lajme

Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri.

Në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së, Greqia ka dorëzuar një deklaratë me shkrim në të cilën thekson se çështja e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës do të jetë kusht për të ardhmen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Gjithashtu theksohet se tani e tutje për Athinën, çështja e pranimit të Shqipërisë në BE, do të konsiderohet e lidhur me qëndrimin që Tirana do të tregojë për çështjen Beleri, të cilin pala greke e konsideron si provë të shkeljes së kushteve që duhet të plotësojë një shtet kandidat për anëtarësim në familjen europiane.

Deklarata në fjalë shoqëron letrën, e cila është miratuar dhe dërguar në Tiranë nga gjithë shtetet anëtare dhe përbën nga ana proceduriale, hapin e parë për fillimin e negociatave me BE-në, për pesë kapituj themelorë.

Pak javë më parë Athina kishte bllokuar letrën e përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së, duke dashur të japë një mesazh lidhur me çështjen Beleri. Por në një moment konsultimesh diplomatike me partnerët, Greqia ka pranuar presion shumë të fortë si nga Berlini zyrtar, ashtu edhe nga presidenca spanjolle për të ndryshuar qëndrimin e saj.

Burime diplomatike bëjnë me dije se Greqia nuk ka ndërmend të tërhiqet, duke shqyrtuar mundësi bllokimi të Shqipërisë edhe në fazën tjetër të procesit përkatës, pasi qeveria greke pretendon se ndalimi shtatë-mujor i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës është një shkelje e drejtpërdrejtë e shtetit të së drejtës siç përshkruhet nga traktatet dhe e drejta evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *