Biden: Të krijohet shteti i Palestinës, zgjidhja e vetme e konfliktit! Reagon Netanyahu

Bota Lajme

Presidenti amerikan Joe Biden i ka mëshuar edhe një herë me forcë idesë për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit mes Izraelit e Hamasit.

Edhe pse vazhdimisht ka treguar se qëndrimi i administratës së tij është në mbështetje të së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje, kur vjen fjala tek vijimësia e marrëdhënies tejet të vështirë të dy palëve në fjalë, shefi i Shtëpisë së Bardhë mbron planin e një “qeverie të vetme” të Bregut Perëndimor dhe Gazës nën një autoritet palestinez të rinovuar.

Në një artikull në “Washington Post”, ai përmendi gjithashtu futjen e sanksioneve kundër kolonëve ekstremistë në Bregun Perëndimor. “Një zgjidhje me dy shtete është e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë afatgjatë të popullit izraelit dhe palestinez”, thuhet në shkrimin e Biden.

“Edhe pse mund të duket tani se e ardhmja nuk ka qenë kurrë më larg, kriza e ka bërë atë edhe më urgjente”. Populli palestinez, tha presidenti i SHBA-së, meriton shtetin e tij dhe një të ardhme të lirë nga Hamasi islamik. “Imazhet nga Gaza dhe vdekja e mijëra civilëve, duke përfshirë fëmijë, më thyejnë zemrën. Tani qëllimi duhet të jetë përfundimi i luftës përgjithmonë dhe thyerja e ciklit të dhunës”, thuhet në artikull.

Biden përsëriti edhe këshillën për Izraelin që të mos ketë dëbim me dhunë të palestinezëve nga Rripi i Gazës, as ripushtim, as rrethim apo bllokadë dhe asnjë reduktim të territorit”. Sipas të dhënave të OKB-së, nga 2.3 milionë banorë që ka Rripi i Gazës, 1.7 milionë prej tyre janë zhvendosur që nga fillimi i konfliktit pas sulmit të Hamasit në 7 tetor që i mori jetët e 1700 izraelitëve.

Më shumë se 11 mijë vetë janë vrarë në Gazën e rrethuar gjatë kësaj kohe. Kryeministri izraelit Netanjahu reagoi ndaj kërkesës së Bidenit me skepticizëm. Ai thotë se autoritetet palestineze në formën aktuale nuk janë në gjendje të marrë drejtimin në Gaza dhe shtoi se planifikon që Izraeli të ketë përgjegjësi ushtarake në Rripin e Gazës për të ardhmen e afërt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *