“Për gati tre orë kryetari Ahmeti me të dërguarit francez kanë shtjelluar zhvillimet politike në vend dhe rajon duke u përqëndruar kryesisht mbi ndryshimet kushtetuese dhe integrimin europian, përfshirë këtu edhe zgjedhjet në vend, si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Pa ndryshimet kushtetuese, rruga europiane është e bllokuar, kështu është theksuar në takim ndërkohë që pengesa e miratimit të amendamenteve kushtetuese është bllokim i qëllimshëm i integrimit europian. Qytetarët dhe vendi nuk kanë kohë për kalkulime për përfitime partiake në kurriz të së ardhmes së tyre europiane. Ndërkohë, sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, kryetari Ahmeti ka theksuar se njohja e ndërsjellë është zgjidhja e vetme që garanton paqen, sigurinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
