Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot ka zhvilluar takim me Ministrin e Ekonomisë dhe Planifikimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Al-Ibrahim.
Në takim, siç kumtoi MPJ-ja është theksuar përkushtimi për vazhdimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve, me ç’rast u theksua nevoja e thellimit të marrëdhënieve në këtë aspekt”, theksohet në kumtesën e MPJ-së.
Në takim Osmani theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme theks të veçantë i kushton diplomacisë ekonomike, gjë që dëshmohet me dërgimin e këshilltarit ekonomik në Ambasadën në Abu Dabi, i cili është përgjegjës edhe për bashkëpunimin ekonomik me Mbretërinë e Arabisë Saudite.