Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq përgjegjësinë për mossuksesin e reformave gjyqësore e vendosi në bllokadën të cilën e bën opozita, por vlerëson se fajin e kanë edhe autoritetet gjyqësore.
Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas konferencës për media me euroambasadorin Dejvid Gir, zëvendëskryeministri Mariçiq tha se fajtori kryesor mund të gjendet në atë strukturë politike që e bllokon shtetin me vite të tëra.
“Shumë më shumë ligje dhe shumë më shumë gjëra do të bëheshin po të mos ishte ajo bllokadë në Kuvend. Qoftë kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Prespës, qoftë kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushetuese, gjithnjë jemi përballur me bllokada serioze. Kjo nuk nënkupton se si Qeveri nuk kemi anomali ose dobësi të cilat duhet të tejkalohen ose se institucionet e tjera të cilat punojnë në gjyqësor nuk kanë anomali dhe dobësi”, theksoi Mariçiq.
null
Sipas tij, çështja e reformave në gjyqësor është çështje komplekse, për çka përgjegjësinë e sheh te autoritetet gjyqësore dhe pret që pas krijimit të udhërrëfyesve, ligjet e reformave të mbështeten nga të gjitha partitë politike.
“E di që duam të kemi fajtorë në detyrë për çështje të caktuara, por mendoj se kompleksiteti i këtyre çështjeve, sidomos lidhur me çështjen e shtetit të së drejtës, janë çështje që kërkojnë veprim politik nga të gjitha partitë politike dhe gjithashtu kërkojnë veprim institucional nga institucionet kompetente. Qeveria nuk mund dhe nuk duhet t’i zgjidhë problemet e Këshillit Gjyqësor, ashtu siç nuk duhet dhe nuk mund t’i zgjidhë Këshilli Gjyqësor problemet e Qeverisë. Nuk është detyrë e Qeverisë të zgjidhë problemet në asnjë gjykatë të vendit. Përkundrazi, gjykatat duhet t’i zgjidhin problemet e tyre, ndërsa Qeveria duhet të sigurojë një kornizë për veprimin e tyre”, theksoi Mariçiq.
Ai vlerëson se nuk ka kornizë më të mirë se bisedimet me BE-në për zgjidhjen e këtyre problemeve të shënuara në Raportin e KE-së.