Vërshim emigrantësh, telashe për Scholz! 16 guvernatorë, presion kancelarit gjerman!

Bota Lajme

16 guvernatorët shtetërorë të Gjermanisë takohen sot me kancelarin Olaf Scholz për të diskutuar mënyrat sesi mund të menaxhohet fluksi i madh i emigrantëve, i kthyer në një kokëçarje të madhe për ta dhe për vetë ekzekutivin gjerman.

Qendrat e pritjes po mbushen, dhe Scholz, i përballur me një trysni të madhe nga opozita dhe të tjerët për ta ndalur këtë trend, e pohoi se edhe “shumë të tjerë duke ardhur”. Mbi një milion ukrainas kanë mbërritur po kështu në Gjermani që prej pushtimit të vendit të tyre nga Rusia fqinjë. Në javët e fundit, Qeveria gjermane ka qenë shumë aktive, duke kaluar edhe një legjislacion i cili lehtëson dëbimin e atyre të cilëve u refuzohet kërkesa për azil, për t’i ndëshkuar trafikantët dhe për t’ua mundësuar azilkërkuesve fillimin e punës sa më shpejt, si dhe vendosjen e kontrolleve të përkohshme në kufijtë me Poloninë, Republikën e Çekisë dhe Zvicrën.

Guvernatorët do t`i kërkojnë kancelarit më shumë para nga qeveria federale për ta përballuar koston e strehimit të emigrantëve. Megjithatë, sërish insistojnë se zgjidhja më e mirë është të frenohet emigracioni i paligjshëm në mënyrë, që siç thonë ata, të jemi të drejtë ndaj integrimit të mirëfilltë të njerëzve që kërkojnë mbrojtje këtu.

Ndërkohë, pak ditë më parë Berlini zyrtar i dha dritën jeshile rregullores për ndryshimin e statusit nga refugjat në emigrante pune, nga e cila do të përfitojnë edhe azilkërkues të refuzuar që kanë hyrë në Gjermani deri dhjetorin e vitit 2022. Atyre u jepet mundësia të dalin nga statusi i azilkërkuesit të refuzuar dhe të hyjnë në statusin e emigrantit të punës me duldung.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *