Kuvendi nuk mbështeti propozimin për amnisti të një pjese të të burgosurve

Lajme Maqedoni
Kuvendi nuk mbështeti propozimin për amnisti të një pjese të të burgosurve. 66 deputetë votuan kundër. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili sqaroi nevojën për një shkarkim të burgjeve, të cilat janë në një gjendje alarmante, pas votimit, tha se kundërshtimi nga partnerët e koalicionit flet për hakmarrje ndaj ASh-së, pasi nuk mbështeti Kodin Penal. Lloga madje hedh dyshime edhe për hatërmbetje të tjera të partnerëve të koalicionit, sikurse mospërfshirja ndoshta e preferencave të tyre me amnisti.
“Maqedonia është shtet më i padrejtë se dje, sepse kjo është qëllimi dhe mbarimi i asaj që ndodhi sot në Kuvend. Ajo që ndodhi sot është ajo të cilën edhe e prisnim një lloj hakmarrje për mos votimin tonë të ndryshimeve të Kodit Penal, as propozimin tim si ministër, por as mbështetja nga partia ime politike. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është amnistuar në vitin 2018. Tani unë e kam përjashtuar këtë vepër penale nga amnistia. Ndoshta edhe kjo i ka hidhëruar, sepse kanë pritur nga ana ime që unë të amnistoj edhe persona zyrtarë të emëruar dhe të zgjedhur. Këtë nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj asnjëherë.”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Lloga mohon që dikush të ketë kërkuar drejtpërdrejtë amnistinë e ish-zyrtarëve apo zyrtarëve aktual. Ai siguron se koalicioni qeveritar është stabil.
“Aspak, sepse propozimi ka qenë i Qeverisë së RMV-së dhe ju siç mund ta shihni, propozues është Qeveria dhe kështu që nëse votimi nuk ka kaluar, nuk ka kaluar votimi i qeverisë, e jo i ministrisë së Drejtësisë.”, – theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Ministri Lloga do ta ripërsërisë procedurën e miratimit të amnistisë në procedurë të rregullt brenda disa ditëve. Amnistia përfshin të dënuarit me gjashtë muaj burg, ndërkaq atyre me mbi gjashtë muaj t’u falet 30% e dënimit. Ministri Lloga, gjatë fjalimit të tij para deputetëve, numëroi edhe veprat  penale të cilat s’do të amnistohen, sikurse veprat kundër moralit gjinor, vjedhje me pasojë-vrasje, kundër rendit publik, mashtrim në dëm të fondeve të BE-së, pastrim parash, keqpërdorim i detyrës zyrtare, ryshfeti, si dhe dhuna familjare.
VMRO – DPMNE-ja disa herë është shprehur se do të bllokojë ligjin me amendamente të shumta, ndërkaq një veprim të njëjtë paralajmëroi edhe LSDM-ja nëse me zgjidhjen ligjore përfshihen edhe të dënuarit për rastin “Monstra”. Në këtë drejtim, ministri Lloga konsideron se ligji përfshin amnisti të veprave penale dhe jo falje të njerëzve të caktuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *