Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen vizitën zyrtare në shtet sot e vazhdon me takime në Qeveri me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ku do të pritet me nderime më të larta shtetërore.
Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski do ta presë kryetaren e Komisionit Evropian, Fon der Lajen me ceremoni zyrtare për pritje me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake. Menjëherë pas ceremonisë së pritjes është paraparë takim tet-a-tet me kryeministrin Kovaçevski, pas çka vijon takim bilateral të dy delegacioneve.
Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë së Veriut do të jenë edhe Artan Grubi, zëvendës kryetar i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Bojan Mariçiq, zëvendës kryetar i Qeverisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova, ministre e Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor dhe Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë.
Pas takimeve, Kovaçevski dhe Fon der Lajen do të mbajnë konferencë për shtyp, pas çka do ta vizitojnë fabrikën për përpunimin e pemëve dhe perimeve në afërsi të Shkupit, shfrytëzues të mjeteve nga IPARD programi, të financuar nga BE-ja.
Kryetarja e Komisionit Evropian dje pasdite udhëtoi në Shkup, ndërsa në Aeroportin ndërkombëltar është pritur nga zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, pas çka realizoi takim në vila Vodno me presidentin Stevo Pendarovski.
Sipas kumtesës nga Kabineti presidencial, Pendarovski dhe Fon der Lajen kanë biseduar për procesin e negociatave qasëse të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe situatën aktuale në rajon, ndërsa në këtë drejtim janë shkëmbyer informacione për fazat e mëtejshme të negociatave pas përfundimit të procesit të skriningut dhe dinamikën e implementimit të reformave.
Në takim është biseduar edhe për raportin e ardhshëm të KE-së për progresin e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat si dhe për Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, me çka presidenti Pendarovski falënderoi BE-në për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj politikës së zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.