SPAK: Ish-Kryeministri Berisha favorizoi dhëndrin. Malltezi përfitoi 5.4 milionë Euro nga privatizimi

Bota Lajme

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka zyrtarizuar akuzat e ngritura ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Fatmir Bekatshi.

Në një deklaratë për mediat, SPAK radhit provat që sipas tij ka siguruar nga hetimi i nisur prej vitit 2020 nga një kallëzim i kryer nga Taulant Balla. Kështu pas rreth 3 vitesh hetime, Prokuroria e Posaçme thotë se ka gjetur fajtor ish-Kryeministrin Berisha për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkupunim.

Vepër kjo e ngritur nga SPAK pas dyshimeve se Berisha kur mbante detyrën e kryeministrit ka kryer veprime duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.

Gjithashtu prokuroria thotë se Berisha në cilësinë e kryeministrit ka vënë në dispozicion të Malltezit, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit.

Të gjitha këto procedura të ndjekura nga Malltezi, tashmë i vënë nën akuzë për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, sipas SPAK janë kryer me qëllim privatizimin e ish-kompleksit, e më pas ndërrimin e destinacionit të tij për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh.

Për ndërtimin e këtij të fundit SPAK thotë se ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Përfitimet kanë qenë monetare, dhe sipas prokuroria marrja e tyre Malltezi është bërë nën cilësinë e investitorit tek shoqëria “Homeplan shpk”, ku SPAK thotë se dhëndri i Berishës nuk kishte investuar asgje.

Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, përllogariten në total në rreth 5.4 milionë Euro.

Por për të vënë në jetë këtë skemë, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se Jamarbër Malltezi ka bashkëpunuar me ndërtuesin e bllokut të pallateve në ish-kompleksin sportiv, Fatmir Bektashin.

Nisur nga këto të dhëna të përfituara nga hetimi 3-vjeçar i SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar detyrim paraqitje dhe pengim për të dalë jashtë vendit për ish-Kryeministrin, Sali Berisha dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi si dhe “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin.

Ky i fundit, siç mund të shihni u vu në pranga në aeroportin e Rinasit, teksa priste bashkëshorten e tij të kthehej nga një vend i Bashkimit Europian.

Krahas arrestimit, për Malltezin, Gjykata e Posaçme vendosi dhe sekuestrimin e 16 pasurive të paluajtshme në pronësi të tij mes të cilave dhe kuota të shoqëri ku ai rezulton aksioner.

Ish-Kryeministri, Sali Berisha dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Jamarbër Malltezi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Fatmir Bektashi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *