Pesëshja diplomatike drejt Kosovës të shtunën/ Kurti: Nuk ka normalizim pa siguri!

Bota Lajme

Perëndimi po nxiton ta rikthejë në shina procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e për këtë arsye, të shtunën zbarkojnë në Prishtinë e Beograd pesë diplomatë të lartë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, sqaroi më herët zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh sot se nuk ka informacione se çfarë do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë pesë të dërguarit në fjalë. Kurti theksoi se prioritet i tij dhe i institucioneve është siguria e Kosovës dhe se nuk mund të ketë normalizim pa siguri.

“Çfarë kërkojnë e çfarë do të ofrojnë, e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe shoqërinë. Për këtë po punojmë natë e ditë. Dhjetorin e vitit të kaluar, patëm në tre javë 16 barrikada në veri. Me 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi Policën, ushtarët e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri.

Më 14 qershor ndodhi rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq”, kujtoi ai, duke nënkuptuar kështu se çfarë konsideron nga ana e tij çështjet prioritare për t`u shtruar në diskutimin me ndërkombëtarët. Kurti insistoi sërish që ndaj Serbisë të vendosen sanksione pas zhvillimeve të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *