Aliu: Të jemi transparentë ndaj qytetarëve, t’i përmirësojmë procedurat tenderiale

Lajme Maqedoni

Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu, sot ka mbajtur Konferencë për shtyp mbi Raportin e Auditimit lidhur me procedurat tenderiale dhe situatën në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Objekt i auditimit kanë qenë lëndët sipas zgjedhjes së rastësishme, të cilat u analizuan nga auditori i pavarur në pjesën e hapjes së procedurës tenderiale deri në pagesën e plotë mbi aktivitetet e realizuara. Ky Raport, përfshin periudhën kohore prej në janar të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2023.

Në Raport theksohet se prej 18 (tetëmbëdhjetë) procedurave tenderiale të prokurimeve publike, në 14 (katërmbëdhjetë) prej tyre është paraqitur vetëm një kompani. Për tre procedura ka pasur dy oferta, ndërsa për një procedurë ka pasur tre oferta. Gjithashtu, në një pjesë të madhe të procedurave, shuma që ishte parashikuar në planin e prokurimit publik të MSHIA-së për një prokurim të caktuar ishte e njëjtë me shumën e ofruar nga një kompani e caktuar. Sipas ministrit, ky është një problem sistematik të cilit duhet gjetur zgjidhjen e duhur.

,,Nga njëra anë, kompani të caktuara vetë krijojnë politika në bazë të interesave biznesore të tyre, ndërsa nga ana tjetër një pjesë e konsiderueshme e kompanive, për arsye të caktuara, nuk aplikojnë në thirrjet publike të institucioneve shtetërore. Padyshim, kjo ndikon në konkurrencën dhe mundësinë e përzgjedhjes më të madhe, përkatësisht institucionet shtetërore detyrohen të paguajnë çmime më të larta për shkak të ofertës së ulët nga kompanitë. Prandaj, nevojitet zgjidhje e plotë sistemore që do t’i parandalojë të gjitha tentimet për keqpërdorime dhe do ta rrisë ofertën në “produkt” dhe shërbime ndaj institucioneve shtetërore”, theksoi ministri Aliu.

Aliu apelon se, nëse duam që Maqedonia e Veriut të fitojë dhe të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë duhet të flasim hapur për të gjitha problemet dhe sfidat në këtë rrugëtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *