Partitë opozitare shqiptare: Nuk i votojmë ndryshimet kushtetuese

Lajme Maqedoni

Deputetja e Lëvizjes Demokratike, Merita Kollçi Koxhaxhiku, tha sot se mbeten të qëndrimit se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese, nëse fshirja e formulimit “20 për qindshit” nuk është pjesë e tyre.

“Si grup parlamentar nga Lëvizja Demokratike, ky ka qenë qëndrimi ynë që në fillim. Deri në këtë moment qëndrojmë në të njëjtin qëndrim”, tha ajo.

Deputetja e Alternativës Safije Sadiku Shaini, nga ana tjetër, tha se kjo parti nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese nëse nuk pranohet amendamenti i tyre për korrupsion.

“Ne si Alternativë kemi deklaruar se duhet të pranojnë fillimisht amendamentin tonë kushtetues kundër korrupsionit. Nëse nuk pranohet ai amendament, ne nuk do të votojmë amendamentet kushtetuese”, tha ajo.

Amendamenti kushtetues i propozuar nga Alternativa parashikon që veprat penale të kryera nga zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar nuk do të vjetërohen kurrë. Gjithashtu propozohet zgjerimi i fushës së konfiskimit të pronës së fituar në mënyrë të paligjshme të regjistruar te palët e treta.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *