Ministrat e Jashtëm të vendeve europiane zhvilluan këtë të Hënë një mbledhje të rrallë. U mblodhën në Kiev dhe kjo shënon të parën mbledhje të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, përtej kufijve të Bashkimit Europian dhe të parën në një vend në konflikt siç është Ukraina. Një mbledhje që synon të përcjellë mesazhin e mbështetjes së palëkundur të Bashkimit Europian për Ukrainën përballë luftës nga Rusia.
“Jam i sigurt se Ukraina dhe e gjithë bota e lirë janë në gjendje të fitojnë këtë konfrontim. Por fitorja jonë varet drejtpërdrejt nga bashkëpunimi ynë me ju”, tha Zelenskyi.
“Kjo luftë, sidomos për ne europianët është një kërcënim për ekzistencën”, u shpreh Borrell.
Mesazhi që përcjell kjo mbledhje është domethënës, veçanërisht në këtë moment kur mbështetja ndaj Kievit është me pikëpyetje nga aleati më i madh, Shtetet e Bashkuara, ku republikanët e bënë të pamundur për momentin ndihmën financiare për këtë Ukrainën, të planifikuar nga administrata Biden.