Presidenti Stevo Pendarovski sot foli në Konferencën e 9-të Ndërkombëtare Hulumtuese me temë “Riaktualizimi i inflacionit dhe realitetet e reja gjeopolitike – ridizajnimi i politikës makroekonomike” organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Komitetin për Transformimin e Bretton Woods, të mbajtur në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski theksoi se si një ekonomi e vogël, e hapur dhe e varur nga importi, vendi në mënyrë disproporcionale i ndjen efektet e goditjeve globale dhe për këtë arsye është e rëndësishme të gjendet një model për zbutjen e goditjeve të tregut në një mjedis të rrethanave ekonomike që ndryshojnë vazhdimisht.
Për të parandaluar daljen e fuqisë së kualifikuar, sipas presidentit Pendarovski, është e nevojshme të përpiqemi që sistemet tona ekonomike t’i bëjmë të përshtatshme për zhvillimin e lirisë ekonomike dhe barazisë së mundësive, dhe theksoi se reformat janë të nevojshme në segmentet jetik, kyçe për zhvillimin ekonomik, si investimet, produktiviteti i punës, dimensionimi i arsimit sipas kërkesave të tregut të punës dhe krijimi i vendeve cilësore të punës.
“Efektet e krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë u konvergjuan në një polikrizë që rriti çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore, ngadalësoi rritjen ekonomike, përshpejtoi inflacionin, rriti koston e jetesës dhe ngushtoi hapësirën për të mbështetur ekonominë. Si një ekonomi e vogël, e hapur dhe e varur nga importi, ne po i ndjejmë në mënyrë disproporcionale efektet e këtyre goditjeve globale. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ne që të gjejmë një model për zbutjen e goditjeve të tregut në një mjedis të rrethanave ekonomike që ndryshojnë vazhdimisht”, tha Pendarovski.
Në kushtet e një mjedisi të jashtëm të paqëndrueshëm dhe presioneve gjithnjë e më të larta të çmimeve, shtoi presidenti, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, Banka jonë Kombëtare, duke ndjekur shembullin e Bankës Qendrore Evropiane, filloi të rregullojë politikën e saj monetare. Në të njëjtën kohë, tha Pendarovski, është fakt se politika e shëndoshë monetare ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe në frenimin pjesërisht të inflacionit në rritje. Por kjo nuk do të thotë se të gjitha sfidat janë tejkaluar. Rreziqet gjeopolitike dhe gjeoekonomike intensifikojnë padiskutim efektet negative afatgjata në demografi.