Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se qëndrimi i shtetit gjerman për sa i përket sovranitetit të shtetit Kosovës nuk ka ndryshuar.
Rohde ka thënë se Gjermania nuk mendon që KFOR-i duhet të marr nën kontrollë veriun e Kosovës.
“Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë Rohde në emisionin “Kallxo Përnime”.
Rohde ka shtuar se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës që të veprojë KFOR-i apo EULEX-i, ata do të veprojnë sipas rregullave.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një konferencë për media të enjtën e 28 shtatorit, ka bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që, sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.