QUINT në OSBE: Vrasësit e policit të Kosovës të sillen para drejtësisë

Bota Lajme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, është takuar sot me përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së bashkuar pas sulmit terrorist në Banjskë që la të vdekur një polic të Kosovës.

Carpenter në deklaratën e lëshuar në emër të QUINT-it, ka thënë se dënojnë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërsi të Manastirit të Banjskës më 24 shtator që çuan në humbjen e jetës së policit kosovar, Afrim Bunjaku.

Në këtë deklaratë të përbashkët ata kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e policit kosovar në krye të detyrës dhe kanë kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent.

QUINT në OSBE që ka selinë në Vjenë vlerëson koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për të garantuar sigurinë e civilëve dhe theksojnë se janë duke e monitoruar situatën nga afër.

Ambasadorët e këtyre shteteve në OSBE kërkojnë rikthim në Dialogun e BE-së dhe potencojnë se diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.

“Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ulur tensionet. Në këtë drejtim, prioriteti ynë mbetet ecja përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me kthimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, përfundon reagimi i QUINT-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *