Abdixhiku: Duhet unitet nacional përballë Serbisë

Bota Lajme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.

Ai ka thënë se në takim u informua mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit.

“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK-së ka thënë se pas fitores së betejës kundër terrorizmit në terren, është koha edhe për fitore diplomatike në politikë.

“Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shtuar Abdixhiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *