Vuçiq: Serbët e vrarë janë nga Kosova

Bota Lajme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq,  ka deklaruar se Serbia s’ka kontroll efektiv në Kosovë, dhe është dashur shumë kohë që të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Vuçiq, tha se sulmi në Banjskë ndodhi pasi ‘disa serbë të Kosovës’ u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e policisë së Kosovës.

Vuçiq ka thënë se tre serbë nga Kosova u vranë, dy nga snajperët, dy u plagosën rëndë dhe ka frikë për vrasjen edhe të personit të katërt.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurti. Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.

I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shihen në fotografi, Vuçiq tha se ato nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe. Sipas tij, uniformat blihen kudo në treg.

Vuçiq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë. Ai tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por shtoi se është i gatshëm të bisedojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *