Osmani në OKB: Kërkimi i përbashkët i paqes varet nga angazhimi ynë kolektiv

Lajme Maqedoni

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka mbajtur sot një fjalim para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në kuadër të Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të OKB-së, e cila këtë javë po mbahet në Nju-Jork.

Siç kumtoi MPJ-ja, Osmani shprehu mirënjohje për marrjen e Kryesimit të Shqipërisë me Këshillin e Sigurimit në muajin shtator, duke theksuar se prania e kombinuar e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë në OKB është shenjë e fuqishme e përkushtimit dhe përgjegjësisë nga dy shtete ballkanike, mike dhe fqinje, të cilat qëndrojnë në krye të të dy platformave kryesore multilaterale.

Duke folur për sfidat aktuale të sigurisë, Osmani sërish iu referua luftës agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, duke theksuar se kërkimi i përbashkët i paqes varet nga angazhimi ynë kolektiv.

“Lufta paraqet shkeljen dhe sfidën më të madhe të rregullave dhe detyrimeve ndërkombëtare të cilat ishin të shkruara dhe të nënshkruara nga e njëjta Rusi që tani me përbuzje po i shkel. Ajo i shkatërron jo vetëm jetët dhe mjetet e jetesës në Ukrainë, shtëpitë dhe shpresat e njerëzve, madje përtej kësaj, ajo ndikon në jetët e njerëzve edhe përtej Rusisë”, tha Osmani.

Ai gjithashtu theksoi se në kuadër të OSBE-së, një organizatë rajonale, me të cilën kryeson në këtë moment vendimtar të historisë së saj, ndihet ndikimi i luftës para se gjithash te njerëzit, por edhe në politikën ndërmjet rajoneve dhe në institucionet që u krijuan si platformë për dialog dhe ruajtjen e paqes.

“Ekziston edhe kërcënim që vetë multilateralizmi të bëhet viktimë e këtij agresioni, që forumet ndërkombëtare si ky të zëvendësohen me fushëbetejë, ndërsa argumentet me forcë brutale, pa asnjë dobi për askënd. Pra, më shpjegoni: kush përfiton nga kjo luftë?”, pyeti Osmani gjatë fjalimit të tij.

Si kryesues i OSBE-së, ai gjithashtu theksoi se organizata vazhdimisht e ofron mbështetjen e saj përmes Programit për Mbështetje në fusha të ndryshme që tashmë është në terren dhe që përfshin deminimin humanitar, promovimin e sundimit të ligjit dhe zbutjen e ndikimeve të mëvonshme ekologjike dhe ekonomike.

Ai njoftoi edhe se planifikon vizitë të dytë në Ukrainë si kryesues i OSBE-së, pas vizitës së pare që e realizoi në janar, me qëllim që drejtpërdrejt t’i dëgjojë nevojat, shpresat dhe frikën e njerëzve në terren dhe duke mbështetur moton e Kryesimit “Fjala është për njerëzit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *