Broçkulla e budallallëqe për nxënësin shqiptar, gramade tekstesh me përmbajtje të amështa

Lajme Maqedoni

Dhe, jo vetëm kaq. Jo vetëm libri i gjeografisë, shoqërisë e historisë…! Broçkulla e budallallëqe tjera (për nxënësin shqiptar) i gjeni edhe në tekste tjera shkollore të vendit (ku janë të gjitha me autorë maqedonasë, në përjashtim të librave të leximit). Nga kjo gramade tekstesh me përmbajtje të amështa, po marrim shembull një paçavure  të ashtuquajtur “Etikë” për kl. VII, tekst i përkthyer në shqip nga shqiptarë (që bëjnë “kabull”  vetëm paratë që ua jep “zotëria”), me porosinë e imponuar dhe indiskrete (drejtuar edhe shqiptarëve ku pjesa dominante i përkasin  konfesionit islam) – tek arsimuesit sllavë të gjejnë burimet e “shëndosha të moralit”, përcjell – Presklub.mk

Ja, po citoj një leksion të këtillë nga libri në fjalë, i titulluar: “Shën Klimenti i Ohrit – mësuesi ynë moral”:

“Fuqinë më të madhe etike për ne këtu në Maqedoni e kanë porositë e Shën Klimentit të Ohrit. Normat të cilat i ka treguar ai, janë bazë e etikës sonë…”

Kujdes, Ju, o mësues shqiptarë! Kujdes si i mësoni dhe çka u ofroni si mësim moral nxënësve t’Uaj! Vini re, prindër shqiptarë se çfarë etike u ofron “shkolla e reformuar” fëmijëve t’Uaj!

Shkojmë më tutje!… I njëjti tekst, përveç brutalitetit indoktrinues, posedon edhe një atak tjetër,  jo  më i vogël se ky i pari. Kësaj radhe – me përkthimin e çoroditur. (Përkthyes i librit është Xhevdet Shabani, kurse lektor i botimit në shqip është Mr. Ismail Hamiti).  Ja po citoj (fq. 15):

“Mirësia dhe bukuria shkojnë shohin të bukur. Cili zgjedh të keqen, bashkë. Cili është i mirë njerëzit e është i keq dhe nuk pëlqehet.”

Ç’është kjo esperanto, vallë? Këto rreshta në çdo gjë mund të ngjasojnë, vetëm me sintaksën apo morfologjinë shqipe nuk mund të përkojnë. Ndaj, pyes veten dhe të gjithë participientët e arsimit: – Deri kur kështu? Deri kur do të na shurdhojnë veshët me do pallavra për “reforma” në arsim? Deri kur do të lejojmë të na kallafatin me farsën bajate të “integrimit” në EU BE…BE… kur këta akterët politikë shqiptarë, përveç që dinë parti politike të krijojnë, asnjë punë të hajrit nuk janë në gjendje të bëjnë?!

Vazhdojmë mëtej! Ja edhe shtjella tjetër e radhës, që nuk shkon më larg se në faqen tjetër të librit:

“E mira duhet gjithmonë të duhet të bëhet dhe të dallohet tek ne dhe tek të tjerët”.

O, tempora, o mores! Më ndihmoni se po “vdes”!

Jo vetëm ky libër, jo vetëm këto dy faqe të tij, dhe, jo vetëm këto përmbajtje janë me të këtilla devijime, të cilat i “mësojnë” fëmijët apo nxënësit tanë! Përçudnime tjera të ngjajshme ka me qindra e qindra apo me mijëra… E,  punëtorët arsimorë, nëse nuk mund të bëjnë diç në këtë savanë, të paktën t’i identifikojmë ato mangësi e devijime, dhe t’ua vëndojmë në qafë zyrtarëve “të arsimit” në vend të kravatës, të cilëve u takon të krijojnë kushte dhe politika të arsyeshme e racionale arsimore, ku të gjithë nxënësit shqiptarë të mund të përdorin abetaren e përbashkët dhe tekste të autorëve shqiptarë, e, me ç’rast, një pjesë të buxhetit dhe mjeteve finansiare t’i gëzojnë autorët që njohin dhe flasin gjuhën e nxënësit, të cilët, në Republikën e Maqedonisë së Veriut përbëjnë 31%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *