Fronti opozitar Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike nëpërmjet një konference kanë reaguar ndaj projektit të korridoreve 8 dhe 10, duke theksuar se ky projekt po përvetësohet dhe familjarizohet nga ana e BDI-së.
“I gëzohemi projekteve të tilla, të cilat madje janë dashur të fillojnë vite më parë, sepse nuk janë vetëm të rëndësishme për mirëqenien e qytetarve, por janë nevojë e meritë e tyre e plotë, por nuk mund të rrijmë heshtur kur në çdo rast Artan Grubi dhe BDI keqpërdorin pushtetin, duke prodhurar e mbuluar skandale të reja korruptive për të përfituar nga çdo anë. Në këtë film sikur të mos mjaftojë fakti që Artan Grubi keqpërdor rolin e tij për të peronalizuar suksesin, sikur të mos mjaftojë fakti që në mes të projektit vlon konflikti i interesit, duke qenë se kompanitë EUROVIA dhe AK INVEST janë donatorët më të mëdhenjë të BDI-së, ai madje keqpërdor prezencën e Ambasadores për të mbuluar skandalet e tilla korruptive”, u shpreh Fadil Zendeli nga Besa.
Nga fronti opozitar theksojnë se populli pret përgjigje për zhvillime të tilla.
“A i tregoi Artan Grubi Ambasadores së SHBA-ve, Anxhela Ageler, se e keqpërdor prezencën e saj për të mbuluar skandale të reja me donatorë partiak të BDI-së? Sa milionë euro do të derdhen në llogaritë e ‘’Eurovia’’ dhe ‘’Ak Invest’’? Sa nga ato mjete do të derdhen në llogarinë e BDI-së e sa në xhepin e disa klientelistëve të instaluar përreth Ali Ahmetit? A ka gjetur mënyrë Artan Grubi që të fitojë provizion edhe kur do të jetë në opozitë? Pse Artan Grubi përgjegjësinë për mëkatet e tij personale ia hedh kompanisë Amerikano-Turke, ‘’Bechtel dhe Enka’’?”, shtoi Zendeli.