Prokuroria padit për mashtrim djalin e Joe Biden

Bota Lajme

Hera e parë që akuzohet fëmija i një Presidenti

Hunter Biden, djali i Presidentit amerikan Joe Biden do të përballet zyrtarisht në gjykatë me akuza penale se ka mashtruar për blerjen e një arme. Kjo është hera e parë që ngrihet padi ndaj një fëmije të një presidenti amerikan në detyrë.

Padia, e bërë në Gjykatën e Delaware e ngarkon Hunter Biden me tre akuza penale, që lidhen me faktin se ai ishte përdorues substancash narkotike gjatë asaj kohe, gjë që, sipas ligjit, ia ndalon mbajtjen e një arme.

Prokurorët akuzojnë Hunter Biden se gënjeu për përdorimin e substancave narkotike në kohën kur kishte blerë një armë zjarri Kolt Kobra, në Tetor të vitit 2018.

Kjo padi e re i shtohet asaj për shkelje ndaj ligjit amerikan për taksat. Për këtë të fundit, ai tentoi të bëjë një marrëveshje në Korrik duke pranuar fajësinë dhe për të shmangur burgun do të ndiqte një program rehabilitimi, por kjo u hodh poshtë nga gjykata.

Agjencia e lajmeve Reuters nënvizon se akuzat dhe procesi gjyqësor ndaj tij, pritet të tërheqin mjaft vëmendje pasi përkojnë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ku sipas të gjitha gjasave, Presidenti Biden do të përballet sërish me paraardhësin e tij republikan, Donald Trump, që gjithashtu po përballet me 4 procese penale.

Padia ndaj Hunter Biden vjen 2 ditë pasi republikanët në Kongres filluan hetimet për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Biden me dyshimet se ka përfituar nga marrëveshjet e huaja të biznesit të djalit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *