Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot do të ketë takim me përfaqësues nga rrjetet e supermarketeve lidhur me masat që do të pasojnë në sferën e përcaktimit të çmimeve të produkteve ushqimore.
Bekteshi dje paralajmëroi se me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, në seancën e radhës të Qeverisë duhet të merret vendimi për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Ngrirja, sipas Bekteshit, do të jetë me të paktën 10 për qind ulje të çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore. Tashmë në Qeveri është dorëzuar propozim – vendimi për ndalimin e shitjeve promocionale nga të gjitha rrjetet tregtare në vendin tonë, e cila do të jetë e vlefshme deri më 30 nëntor.
Sipas Bekteshit, tregtarët nuk do ta dinë datën në të cilën do të ngrihen çmimet dhe kështu nuk do të mund të rrisin çmimet e produkteve paraprakisht. Çmimet e ngrira do të jenë të vlefshme pasi të publikohen në Gazetën Zyrtare.
Ministria e Ekonomisë sot duhet të dorëzojë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut interpretimin e Ligjit për Konsumatorët dhe sipas Bekteshit, përveç gjobave, do të ketë mbyllje dhe ndalesa për kryerje të veprimtarisë për supermarketet dhe tregtarët me produkte ushqimore që nuk do të jenë në përputhje me masat.
“Ne kemi dispozita të tilla në zgjidhjet tona ligjore, në legjislacionin tonë, referuar nenit 69 të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe nenit 29 dhe nenit 30 të ligjit të tregtisë. Nga e hëna do të fillojë të zbatohet vendimi që merret dhe interpretimi dhe udhëzimet që i jepen ISHT-së dhe nga e marta tashmë do të kemi çmime specifike që do t’i prezantohen qytetarëve”, tha Bekteshi.
Që nga fundi i vitit 2019, siç tha, çmimet e bursës janë rritur për 23,3 për qind në nivel botëror, ndërsa në vendin tonë me 47 për qind.
“Jam i bindur se me vendime të tilla do të ulen edhe më shumë çmimet, sidomos për produktet ku ka rritje enorme. Nuk do të ketë më marrëveshje zotërinjsh, por do të ketë vendime specifike dhe koncize që duhet të respektohen nga të gjithë ata që bëjnë tregti, përfshirë edhe prodhuesit e produkteve ushqimore bazë. Nuk do të ketë më negociata dhe këto do të jenë vendimet përfundimtare. Përveç gjobave, jam i sigurt se do të ketë edhe mbyllje të subjekteve nëse nuk respektojnë masat, tha Bekteshi, pas takimit me menaxhmentin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Të gjitha llogaritë përfundimtare të zinxhirëve të tregjeve të mëdha, siç tha ministri, tregojnë se nuk kanë rënie të të ardhurave, por përkundrazi kanë rritje për vitin e kaluar.
Sipas Bekteshit, vendimi për ndalimin e shitjeve promocionale për qytetarët është marrë sepse kanë vërejtur se disa rrjete supermarketesh po mashtrojnë me mundësitë për të bërë shitje promocionale dhe reduktime apo fushata të caktuara. Me këtë vendim, pohon ai, qytetarët nuk do t’ju mohohet ulja e çmimeve, për faktin se javën e ardhshme do të vendoset ngrirja e çmimeve në industrinë ushqimore.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi edhe dje tha se në kohë krize, kompanitë nuk duhet të jenë një nga arsyet që kriza të jetë edhe më e madhe.