Një tokë ndërtimore që i takon Komunës së Tetovës, me sipërfaqe 3880 metra katrorë, do t’i jepet një kompanisë që do ta ndërton një objekt pranë komunës së Tetovës për nevojat e administratës komunale. Gjithashtu komuna do ta japë me partneritet publiko-privat për 15 vite edhe pishinën e mbyllur që të shndërrohet në “Aqua Park”. Këto ishin disa nga pikat e mbledhjes së Këshillit që përplasën këshilltarët e Lëvizjes Besa që janë në pushtet lokal dhe ata të BDI-së që janë në opozitë. Sipas Kryetarit të Tetovës vlerësimi i tokës do të bëhet nga ana e një Prokurimi Publik me qëllim që të merret çmimi më mirë.
“Në bazë të çmimores është përllogaritur që ajo tokë të shkojë diku 800 mijë euro dhe për atë është bërë me dy faza pasi që ne nuk kemi pasur tokë me sipërfaqe më të madhe që mund të mbulojmë komplet projektin dhe këtu që është me rëndësi, se bëhet fjalë për procedurë të hapur, ofertuesit e ndërtimit do të bëjnë ofertë dhe për vlerën e ndërtimit të objektit që i bie se vlera mund të jetë më e vogël se 1.2 milionë euro por njëkohësisht do të bëjnë edhe ofertë edhe për tokën që do ta marrin”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës Tetovës.