Rasti “Spitali i Onkologjisë”, LSDM: Mickoski ka frikë nga hetimi

Lajme Maqedoni

Skandali me keqpërdorimin e terapisë së personave me kancer në Spitalin e Onkologjisë ka shkaktuar përplasje të vazhdueshme mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, duke akuzuar njëra-tjetrën për gjendjen e shkaktuar. LSDM pyet, nëse Mickoski ka frikë nga ajo se çfarë do të zbulojë hetimi dhe për atë se si është vepruar vite më parë.

“Padyshim se lidhshmëria e Mickoskit me hetimin dhe kërkesa e re për zgjedhje është vetëm që mos të zgjidhet ky rast, që po hapet për herë të parë pas 20 viteve. Mickoski, në vend që të mirëpresë aksionin e institucioneve kompetente për pastrimin e krimit në Klinikën e Onkologjisë, po tenton ta politizojë rastin, duke keqpërdorur pacientët.”, thanë nga LSDM-ja.

VMRO-DPMNE: Krimi ka pasur mbështetje politike

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja, theksojnë se sistemi që është siguruar për parandalimin e keqpërdorimeve gjatë shpërndarjes së terapive është hequr nga përdorimi, me qëllim të bashkëpunimit kriminel me pasoja fatale. Sipas VMRO-DPMNE-së, e gjithë ky krim është i pamundur të bëhet pa mbështetje politike dhe garanci se nuk do të ketë ndëshkim.

“Sistemi i kontrollit për dozimin e terapisë është hequr nga funksionimi në vitin 2017, me ardhjen e LSD-së dhe emërimin e drejtorit të klinikës nga Arben Taravari, asokohe ministri i ri i Shëndetësisë. Dhe tani që shpërtheu skandali i tmerrshëm në opinion, ministri aktual, si Taravari, sërish nuk ka përgjigje pse sistemi për kontrollin e terapisë përjashtohet nga përdorimi, gjë që të çon në përfundimin logjik se është bërë që krimi me pasoja vdekjeprurëse të mund të kryhet pa vonesë! E në vend të dorëheqjes së tij dhe të gjithë Qeverisë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Dimitar Kovaçevskit bën përpjekje për ta mohuar atë.”, – theksoi Naum Stoilkov nga VMRO-DPMNE.

Në shenjë revolte për këtë rast, një numër i madh i qytetarëve, e sidomos ata familje që janë ballafaquar me këtë sëmundje, dje para objektit të Qeverisë dhe Prokurorisë Themelore Publike protestuan duke kërkuar përgjegjësi për zbardhjen e rastit. Nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje lidhur me hetimin, por njoftojnë se në vazhdimësi punojnë në mbledhjen e provave të reja. Me qëllim të zbardhjes së rastit, Kuvendi ka pranuar propozimin e VMRO-DPMNE-së për formimin e Komisionit Anketues për përcaktimin e përgjegjësisë pas skandalit të zbuluar me punën e Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *