Me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”, ka nisur edicioni i 22-të i “Hardh Fest”, festivali i vjeljes së rrushit në Rahovec të Kosovës. E pranishme në ditën e parë të hardhfest, presidentja Vjosa Osmani shprehu mbështetje për vreshtarinë.
“Nuk ka vend më akekuat për të cakërruar gotat sesa festivali “Hardh Fest”, i cili nëpërmjet rrushit e verës po promovon Kosovën gjithandej nëpër botë. Nëpërmjet kësaj trashëgimie, përgjatë viteve që do të vijnë, Presidenca e Kosovës do ta marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste të përvjetshme të begatisë në tokën tonë. “Hardh Fest” është festival i rrushit, i verës, por edhe i miqësisë. Këtu gërshetohen në mënyrë fantastike tradita me modernen, si një dedikim edhe për ata që janë kujdesur më parë që këto hardhi të na e jap rrushin e dëshiruar. Ndërsa shijojmë shijen e rrushit dhe të verës, le të reflektojmë edhe për punën e vreshtarëve e verëtarëve të shkathtë, të cilët këtë rrush e shndërrojnë në vepër arti,” tha presidentja Osmani.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ndërkohë u shpreh se festivali ka tërhequr viztorë nga e gjithë bota.
“”Hardh Fest” e ka vendosur Rahovecin në hartën e ngjarjeve kulturore artistike më të rëndësishme të Kosovës, ndërsa Kosovën e ka vendosur në hartën e madhe të botës. Jam shumë i gëzuar që sivjet kemi gjetur mundësitë që ta mbështesim “Hardh Fest-in” më shumë se në vitet e shkuara. Jam i vetëdijshëm që çfarëdo mbështetje që i jepet ngjarjeve të tilla është investim që i kthehet shoqërisë sonë me përplot përfitime ekonomike, ashtu edhe kulturore,” tha Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Gjashtë kantina nga Shqipëria ndërkohë marrin pjesë në aktivitet, kjo u bë e ditur nga kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo.
“Më vjen shumë mirë që kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që vit pas viti, ne do të jemi jo vetëm me produkte më të mira, por do të jemi edhe më shumë në të gjitha aktivitetet që organizohen në të dy anët e kufirit,” u shpreh ai.
Gjatë ditës së parë të hardhfest, u shpërndanë edhe gjashtë çmime për vreshtarët më të mirë.