Alternativa: Shpenzimet për ndërrimin e dokumenteve personale të mos jenë barrë qytetarëve

Lajme Maqedoni
Ashtu siç jemi të informuar, deri më 12 shkurt të vitit 2024 të gjithë
qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i ndërrojnë të gjitha
dokumentet personale, në mënyrë në to të figurojë emri i ri i shtetit.
Sipas kalkulimeve që bëhen, kjo secilës familje do t’i kushtojë së paku
3.000 den., ndërsa nga një përllogaritje e thjeshtë ka dalë se vetëm për
ndërrimin e tabelave të makinave, shteti do të përfitojë nga qytetarët
diku 11 milionë euro. Nëse llogariten edhe çmimet e të gjitha
dokumenteve të tjera personale, shuma të cilën do ta përfitojë shteti
mund të dalë mbi 100 milionë euro.
E në këtë kohë, kur qytetarët tanë edhe ashtu kanë ankesa të përditshme,
sepse rritja e inflacionit dhe e çmimeve të produkteve ushqimore ua ka
vështirësuar jetën, t’ua vësh në barrë edhe 100 milionë euro për diçka
për të cilën ata nuk kanë asnjë detyrim personal, porse ai është detyrim
shtetëror, kjo është ngarkesë dhe dëmtim i rëndë i qytetarëve. Ndërrimi
i emrit të shtetit nuk guxon të faturohet në dëm të qytetarëve. Nëse kjo
qeveri nuk është në gjendje ta zgjidhë mirëqenien ekonomike të
qytetarëve, duke u mundësuar një jetë dinjitoze e pa varfëri, së paku do
të duhej t’i kursejë nga zhvatja financiare.
Prandaj, AlternAtivA i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme,
Ministrisë së Drejtësisë, por edhe Ministrisë së Financave, që të gjejnë
zgjidhje dhe të mos i ngarkojnë qytetarët me barrë përtej mundësive dhe
detyrimeve të tyre. Në të kundërtën, në këtë vjeshtë, kur ngrihen
çmimet, kur rriten faturat e energjisë elektrike, të shtohet edhe ky
ndëshkim për  qytetarët, kjo nuk është vetëm skandaloze dhe e turpshme,
por edhe rrënuese për ekonominë familjare të qytetarëve tanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *