Spasovski: Janë ndërruar rreth një milion pasaporta, është zgjidhur rasti me sulmin ndaj ekipit të Alsatit

Lajme Maqedoni

Tashmë kemi ndryshuar rreth 1.000.000 dokumente udhëtimi, mbi 800.000 letërnjoftime dhe dokumente të tjera personale. Me këtë dinamikë, me një ritëm të pandërprerë pune, me dy turne, punë në fundjavë etj. ne do të bëjmë gjithçka që të arrijmë të përfundojmë të gjithë procesin në rendin më të mirë të mundshëm. Këtë mbrëmë e kumtoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në “Vesti Plus” të Kanalit 5.

Sipas tij, është normale që në muajt e verës ka gjithmonë rritje të numrit të qytetarëve që kërkojnë dokumente udhëtimi për shkak të udhëtimeve që kanë, por siç tha ai do të vihet në funksion i gjithë kapaciteti.

Në pyetjen e një gazetari se a do të rinovohet objekti i MTV-së në pjesën e Shërbimeve Administrative, Spasovski tha se të gjitha objektet, ose 81 në vend, janë objekte ku është parë situata dhe ka pasur nevojë për renovim. Ai theksoi se në buxhet ka fonde, tashmë është përzgjedhur kontraktori dhe në çdo moment mund të fillojë ndërtimi. “Nëse tani, në mes të turmave më të mëdha, fillojmë rindërtimin e asaj ndërtesë, menjëherë do të ketë një reagim se pse gjithçka po fillon tani. Pra do të zgjedhim momentin kur do të fillojmë”, përfundoi ministri Spasovski.

Ministri Spasovski informon se rasti i sulmit ndaj ekipit të televizionit Alsat tashmë është zbardhur. Sulmuesi është siguruar dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Publike Themelore do të bëhet kallëzim penal për dhunë.

“Mediumet janë ato të cilat çdo ditë e kryejnë punën e tyre, e tërë kjo në interes të qytetarëve dhe të shtetit. Duhet të kemi respekt ndaj çdo personi i cili është pjesë i mediumeve. Të gjitha aspektet për motivin e sulmit do të zbardhen. Është e rëndësishme në këtë rast u veprua shpejt dhë në mënyrë efikase dhe energjike, për shkak se nuk guxon të ketë kurrfarë dhune, posaçërisht kur çdo qytetar është duke kryer punët e tija zyrtare, posaçërisht nëse bëhet fjalë për dikë që punon në interes të qytetarëve dhe shtetit, për shkak se gjithsesi mediumet përfaqësojnë interesin publik”, tha ministri Spasovski.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *