Serbia papritur e ka denoncuar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për përzierje në punët e brendshme të Beogradit, meqë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë e kërcënoi rajonin duke marrë shembull Ukrainën dhe pretendoi se ka mbështetje ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi duke ia kujtuar shtetit fqinj se tri vendet e Ballkanit Perëndimor janë aleatë në NATO. Reagim pati edhe në Podgoricë. Në Prishtinë jo.
Duke marrë shembull atë çfarë i ndodhi Ukrainën, Serbia kërcënoi të shtunën në mëngjes Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe kërcënoi hapur me destabilizimin e rajonit.
Deklarata erdhi një ditë pasi Vuçeviq shkroi se “ushtria e Serbisë është më e forta në rajon”.
“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, tha Vuçeviq për TV Pink.
Ai beson se ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke theksuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj. Vuçeviq prentendoi gjithashtu se ka një konsensus mbarëshqiptar për bashkim kombëtar dhe se “serbët naivë mendojnë se kjo nuk mund të ndodhë dhe se nuk ka ndryshime kufijsh”. Ai theksoi se “mantra se nuk ka ndryshime të kufijve ka qenë gjithmonë e vlefshme, ndaj kanë ndryshuar”.
“A flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre me atë. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ata u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’iu ndodhë”, tha Vuçeviq.
Duke thirrur të shikohet “çfarë ka në histori” dhe “çfarë po ndodh në oborrin e shtëpisë së tyre”, ministri serb pretendon se nuk po interferon në politikat e fqinjve.
“Ne nuk duam të udhëheqim politikën e tyre, por mund të themi se 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo është në rregull për maqedonasit, është në rregull edhe për ne, ju padyshim që do të keni një politikë që nuk do ta shohë Maqedoninë si vendin e tyre”, tha ai.
“Unë nuk do të flija i qetë, por kjo është një pyetje për Shkupin dhe le të shohë Podgorica se çfarë do të bëjë. Unë shoh se pyetja më e madhe për ta tani është nëse partitë serbe, partia serbe, apo koalicioni lejohen të vijnë në pushtet me, thënë kushtimisht, disa ministri të vogla. Në Maqedoninë e Veriut 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit dhe në Mal të Zi 30 për qind e serbëve nuk mund t’i kenë dy ministri apo edhe një. Ata thonë se ne po përzihemi në punët e brendshme. Ju ndërhyni në punët tona të brendshme – e keni njohur Kosovën, a ka ndërhyrje më të keqe, më të pahijshme dhe më të hapur në punët e brendshme”, tha Vuçeviq.
Rama: Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë në NATO
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cilësoi “të rrezikshme dhe të papranueshme” kërcënimet e Beogradit në një reagim të sotëm.
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.
Ai kujtoi se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë në NATO dhe se janë të përkushtuara ndaj njëra-tjetrës në çështjet e sigurisë.
“Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit”, shkroi Rama.
Rama tha se nuk lejojnë askënd që ta tërheq rajonin në të shkuarën dhe theksoi e ardhmja është “Europa e Madhe”.
“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do ta lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Europa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, shkroi kryeministri i Shqipërisë.